E Diel, 1 Nëntor 2026

OKB: Zgjedhjet në Afganistan, me manipulime të dukshme

Në zgjedhjet presidenciale të 20 gushtit në Afganistan u vunë re "mashtrime të konsiderueshme". Kështu ka deklaruar nga Kabuli i dërguari special i OKB-së, norvegjezi Kai Eide. "Është e vërtetë se në disa qendra elektorale në jug e juglindje ka pasur një numër të konsiderueshëm mashtrimesh e falsifikimesh, por jo vetëm aty", deklaroi ai në një konferencë për shtyp, pa dhënë më tej detaje për të mos influencuar në rinumërimin e votave që është duke u zhvilluar aktualisht në vend. Eide ka dashur t‘u përgjigjet kështu akuzave, sipas të cilave, ai ishte përpjekur të mbulonte pjesërisht mashtrimet e bëra gjatë numërimit për të favorizuar Presidentin Hamid Karzai, dhe pranoi se "është një proces elektoral i vështirë e me shumë probleme". "Shtrirja e këtyre mashtrimeve është duke u analizuar. Për momentin nuk e dimë me saktësi, por është e rëndësishme të vazhdohet në rrugën për të konsoliduar demokracinë në Afganistan. Kam implementuar mandatin tim me mbështetjen e plotë të komunitetit ndërkombëtar". Në konferencën për shtyp ishin të pranishëm ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, përfaqësuesit specialë të BE në Kabul dhe përfaqësuesit civilë të NATO-s. Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve, Karzai qëndron në krye me 55% të votave kundrejt 28 për qind të rivalit të tij kryesor, ish-ministrit të Jashtëm, Abdullah Abdullah. Rezultatet përfundimtare, pas shqyrtimit dhe analizimit të fletëve të votimit të dyshuara si të manipuluara, duhet të bëhen publike gjatë javës. Komisioni elektoral afgan, i mbështetur nga OKB-ja ka urdhëruar rinumërimin e fletëve në 274 nga 3498 qendra votimi në vend. Eide mohoi të ketë fshehur informacione lidhur me mashtrimet, një akuzë kjo e bërë nga ish-zëdhënësi i tij. Ai tha se OKB-ja, që ka ndihmuar për organizimin e zgjedhjeve, u kishte përcjellë autoriteteve afgane disa informacione relevante për mashtrimet. Debati lidhur me mënyrën se si i menaxhoi zoti Eide këto mashtrime, çoi në dorëheqje brenda misionit. Një prej kandidatëve kryesorë në zgjedhjet presidenciale, Abdullah Abdullah vuri në dyshim neutralitetin e zotit Eide gjatë procesit zgjedhor. Akuzat e ish-zëvendësit të tij, Peter Galbraith, se njoftimet për falsifikime nuk kanë qenë vendimtare për zgjedhjet, kanë "penguar të gjithë procesin zgjedhor", tha Eide në konferencë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›