E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza e kishte paralajmëruar vetëflijimin

Shtohen rastet e vetëvrasjeve në Qarkun e Elbasanit. Një 22- vjeçare nga fshati Përparim, i komunës me të njëjtin emër, i ka dhënë fund jetës së saj duke u vetëvrarë me armën e shërbimit të të vëllait, efektiv i Burgut të Peqinit. Ngjarja tragjike ka ndodhur gjatë paradites së djeshme në një nga lagjet veriore të këtij fshati. Sipas burimeve të policisë së Peqinit, 22-vjeçarja Matilda Sullafi, është vetëvrarë me një plumb, i cili e ka prekur në pjesën e kokës. Vajza është gjetur e përgjakur nga të afërmit, të cilët e kanë transportuar me urgjencë për në spital, por çdo përpjekje ka qenë e kotë. Ajo nuk ka mundur t‘i mbijetojë plagës që ka marrë dhe ka ndërruar jetë pak orë më pas. Sipas burimeve zyrtare të policisë mësohet se 22-vjeçarja është vetëqëlluar me një plumb në pjesën e majtë të ballit gjatë kohës që ishte duke qëndruar e vetme në banesën e saj. Të njëjtat burime sqarojnë se gjatë dëshmive të dhëna para hetuesve, të afërmit e viktimës kanë pohuar se vajza e kishte paralajmëruar vetëvrasjen prej disa ditësh, pas një gjendjeje të rënduar depresive. Sipas policisë e reja ka përdorur armën e shërbimit të vëllait të saj, efektiv i shërbimit policor të Burgut të Peqinit. Policia ka marrë në pyetje vëllain e viktimës, ndërkohë që ende nuk ka dalë zyrtarisht në konkluzion për shkaqet e kësaj vetëvrasjeje.

Be. Dy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›