E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkon te të afërmit, i vjedhin në shtëpi 12 mijë euro

Një vjedhje në banesë, është regjistruar mëngjesin e djeshëm në qytetin e Lushnjës, ku hajdutët kanë mundur të marrin prej aty 12 mijë euro. Ngjarja është denoncuar nga i zoti i shtëpisë, Bujar Gjyla, banor i lagjes "Xhevdet Nepravishta". Ai ka deklaruar në polici se së bashku me familjen e tij një natë më parë nuk ka qenë në banesë, ndërkohë që kur është kthyer paraditen e së dielës ka konstatuar se i mungonte shuma e eurove që kishte fshehur në raftin e komodinës. Burimet policore të Komisariatit të Lushnjës tregojnë për gazetën "Shqip" se Gjylës i është vjedhur një shumë prej 12 mijë eurosh. "Nuk ndodhej asnjë nga familjarët e mi në banesë, pasi ishim për vizitë te të afërmit. Banoj në katin e 9-të të një pallati të ri", kështu mësohet të ketë thënë për policinë i dëmtuari Gjyla. Policia ka shkuar pranë banesës së tij dhe pas këqyrjes së saj ka raportuar se vjedhja është kryer pa thyerje. Kjo ka bërë që policia të mendojë se autorët mund të kenë hyrë nga vendpushimi i shkallëve të katit të nëntë, nga ku lehtësisht hyn në korridorin e jashtëm të shtëpisë. Po ashtu burime nga policia tregojnë se vjedhja mund të jetë kryer edhe nga ndonjë person që dinte mënyrën sesi mund të hyhej në banesë. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.

Ma.Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›