E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB, hetime rreth raportit të Dick Martit për trafikimin e organeve

Çështja e dyshimeve për trafikim me organe njerëzore gjatë luftës në Kosovë, e cila në vitin 2010, tronditi opinionin publik në vend, rajon dhe botë duket se do të riaktualizohet sërish këtë javë.

Raporti i hetimeve të bëra nga task forca speciale për akuzat që dolën nga raporti i përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, do të jetë pjesë e raportit për Kosovën, të cilin do ta prezantojë sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, në seancën e radhës së Këshillit të Sigurimit.

Megjithatë, nuk dihet saktësisht se çfarë do të përmbajë raporti që hyn në kuadër të raportit të zakonshëm të punës së misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë dhe nëse do të zërë vend në diskutimet që do të zhvillohen në OKB.

Zëdhënësi i task forcës për hetime speciale i EULEX-it, Juri Las, i tha Radios Evropa e Lirë se hetimi i udhëhequr nga prokurori amerikan, Klint Uilliemson, është ende në fazën e mbledhjes së informacioneve.

“Aktualisht task forca është në procesin e sigurimit të informacioneve nga një varg burimesh institucionale, duke analizuar këto informacione dhe duke kryer aktivitetet hetuese”, u shpreh ai.

Task forca speciale e EULEX-it për hetimin e akuzave që flasin për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës së 1999-s ishte ngritur në shtator të vitit të kaluar, ndërsa në në muajin tetor në krye të task forcës u emërua prokurori Uilliemson.

Ky i fundit ka qëndruar në Kosovë, Shqipëri e Serbi përgjatë muajve të kaluar për të mbledhur informacione rreth akuzave që përfshijnë luftëtarët të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e që përfshijnë edhe emrin e kryeministrit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi.

I pyetur për aktivitetet e radhës së task forcës hetuese, Las u shpreh: “Zoti Uilliemson vizitoi Shqipërinë dhe Kosovën para dy javësh. Në javët e ardhshme ka gjasa që ai ta vizitojë sërish Beogradin”, tha Laas.

Zyrtarët e shtetit serb kishin kërkuar vazhdimisht që çështja e akuzave të Dick Martit të dërgohet për shqyrtim në instancat vendimmarrëse të OKB-së.

Ndërkohë, mësohet se është kompletuar ekipi i hetuesve ndërkombëtarë të task forcës speciale, por thuhet se sipas nevojës atij mund t`i bashkëngjiten edhe prokurorë të tjerë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›