E Diel, 1 Nëntor 2026

Kristo: Mbahem padrejtësisht pre e sulmeve brenda llojit

Akuza: Kristo, edhe thirrje kundër shtetit të së drejtës e votimeve Listë me rrjetet kompjuterike dhe fjalëkalimet e institucioneve të rëndësishme zyrtare në një nga PC-të e sekuestruara

“Jo vetëm thirrje për xhihad, për vepra terroriste, por edhe thirrje kundër shtetit të së drejtës dhe kundër votimeve si proces legjitim në një shoqëri demokratike”. Akuza ka zgjeruar deklaratat e saj në ngarkim të të pandehurit Artan Kristo në sallën e gjyqit, por pa ndryshuar veprat penale për të cilat ai po gjykohet. Ndërkaq është deklaruar se një listë me rrjetet kompjuterike (domains) dhe password-et e institucioneve zyrtare si Komisioni Qendror Zgjedhor, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Ministria e Brendshme, PAMECA, ICITAP, aeroporti “Nënë Tereza” etj., është gjetur në një nga kompjuterët e sekuestruar gjatë arrestimit të Artan Kristos. Ndërkaq, i pandehuri dhe mbrojtja e tij kanë kërkuar thirrjen si dëshmitar të Endri Hasës, kreut të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, agjenci që varet nga Kryeministri për të zbardhur konkretisht nëse ka ndërhyrje në sistemet kompjuterike të institucioneve zyrtare dhe përdorim të fjalëkalimeve të tyre. Mbrojtja kërkoi gjithashtu me ngulm një akt ekspertimi nga një ekspert teolog mysliman të fjalimeve fetare të mbajtura nga Kristo në dy videot me thirrjet për xhihad që qarkullojnë në rrjetin “Youtube”. Procesi gjyqësor në ngarkim të klerikut mysliman Artan Kristo, i njohur edhe me emrin Muhamed Abdullah Al Albani, ka vijuar dje në Gjykatën e Shkallës së Parë të Durrësit. Seanca e radhës ka vijuar me zbardhjen e një pjese të fjalimeve të të pandehurit dhe listimin e procesverbaleve të mbajtura gjatë kontrolleve të ushtruara në shtëpinë dhe ambientet që përdorte për ushtrimin e aktivitetit fetar dhe mjekësor, si dhe aktet e ekspertimit dhe shkresat zyrtare të shkëmbyera në funksion të hetimeve. Në mbrojtje të akuzave të ngritura ndaj klerikut më të përfolur në Shqipëri gjatë viteve të fundit, prokurori i çështjes, Edmond Koloshi, tha se nga transkriptimi i dy videove duken qartë thirrjet për veprime terroriste. Ai shkëputi pjesë prej tyre, mes të cilave frazat: “Xhihadi është obligim. Na kanë marrë Spanjën dhe kemi obligim ta kthejmë”. “Të kthejmë shtetin islam”. “Në xhihad shkohet për të vrarë dhe jo për t’u vrarë”. “Jemi pro xhihadit të fjalës, dorës, bombës... etj.”. Ndërkohë, në një material të gjetur në një nga kompjuterët e sekuestruar që u referohet zgjedhjeve të kaluara parlamentare, pyetjes “A duhet të shkojnë myslimanët të votojnë?” i pandehuri, sipas akuzës, shprehet kundër shkuarjes në votime dhe përgjigjet se nuk njihet ligj tjetër përveç ligjit të Allahut. Në këtë pikë, avokati mbrojtës, Ilia Ilia, ka ndërhyrë duke deklaruar se për herë të parë akuza citon dhe prek edhe çështjen e sistemit të zgjedhjeve. Reagimi merr konstatimin e kryegjyqtarit të procesit se, pavarësisht kësaj, ndaj Kristos nuk ka akuzë tjetër. Pas prokurorit Koloshi, Artan Kristo ka kundërshtuar akuzat për thirrje dhe nxitje të akteve terroriste dhe keqpërdorim të pajisjeve, duke i vlerësuar të paqëndrueshme dhe i është drejtuar prokurorit se do të përgjigjet para ligjit për mbajtjen e tij të padrejtë prej 8 muajsh në burg, larg familjes dhe besimtarëve të vet. Kristo pohoi që është zëri i tij në videot e riregjistruara, po “ato janë pjesë e besimit dhe nuk kanë asnjë lidhje me nxitjen publike të akteve terroriste, prandaj duhen vlerësuar nga një ekspert fetar”. Ai dhe avokati mbrojtës, Ilia Ilia, kanë deklaruar se videot janë hedhur në “Youtube” nga Zvicra dhe jo nga Durrësi, duke theksuar kështu se fjala e tij u është drejtuar vetëm besimtarëve të vet dhe nuk ka pasur qëllim ta përhapë përmes internetit. Më tej mbrojtja ka kërkuar thirrjen e dëshmitarëve të ndryshëm që mund të hedhin dritë mbi akuzat ndaj Kristos, ndërsa gjykata çmoi se kërkesa për thirrjen e drejtorit të AKSHI-t, Endri Hasa, nuk merret parasysh, pasi ai nuk ka lidhje me objektin e gjykimit. është kërkuar dhe dëshmia e dy ekspertëve kompjuterikë të Institutit të Policisë Shkencore, Kastriot Gjoka dhe Tahir Cana.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›