OKB i rikonfirmon Kosovës mbështetjen: Çëshja e statusit, e përfunduar
Çështja e statusit të Kosovës ka përfunduar dhe për këtë arsye bisedimet me Serbinë nuk do të përqendrohen te kjo temë. Kështu është shprehur ministri i jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. “Nuk do të ketë negociata të reja për statusin, pasi kjo çështje ka përfunduar”, tha ministri Hyseni në seancën e Këshillit të Sigurimit. Diplomati kosovar theksoi se “nuk do të ketë biseda për ndarjen e Kosovës. Kjo nuk do të ndodhë kurrë”, tha Hyseni dhe shtoi se bisedimet janë normale mes dy shteteve fqinje.
Mbështetja
Këto qëndrime të ministrit Hyseni i mbështeti zëvendës ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Bruk Anderson, duke thënë se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme” dhe se “ndarja nuk është e pranueshme”. Ajo vlerësoi se “statusi i Kosovës dhe kufijtë janë zgjidhur”. Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zanier, në këtë mbledhje deklaroi se situata e përgjithshme në Kosovë është e qëndrueshme, por mbetet ende e ndjeshme. “Mungesa e pajtimit ndërmjet bashkësive edhe më tutje është sfidë, e cila është përforcuar me vështirësitë ekonomike”, tha ai. Sipas Zanier, me ndihmën e UNMIK-ut, Beogradi dhe Prishtina vazhdojnë të kenë kontakte lidhur me personat e pagjetur dhe çështjet fetare. Zanier tha se UNMIK-u edhe më tutje luan rol neutral ndaj statusit të Kosovës dhe mban kontakte me Serbinë dhe Kosovën.
Kundërshtimi
I pranishën më mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit ishte edhe ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç. Sipas tij, qeveria e Serbisë nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës. Vendimi i ardhshëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, shprehet ai, do të krijojë një mundësi të paprecedent për kompromis ndërmjet serbëve e shqiptarëve.
I të njëjtit mendim ka qenë edhe ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin, i cili tha se rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara është ende e vlefshme në Kosovë dhe për këtë arse aurotitetet janë të detyruara ta zbatojnë. “Ajo ende mbetet e detyrueshme për të gjithë ne si një bazë ndërkombëtare dhe juridike për zgjidhjen e Kosovës dhe për garantimin e sigurisë”, tha Çurkin, duke shtuar se “mospranimi i kësaj nënkupton mospranim të legalitetit ndërkombëtar”.
Kabul, mes 19 të vrarëve edhe 5 ushtarë amerikanë
Të paktën 19 vetë janë vrarë dhe më shumë se pesëdhjetë të tjerë janë plagosur në një sulm vetëvrasës me bombë në kryeqytetin afgan, Kabul. Policia tha se të paktën pesë në mesin e të vrarëve ishin ushtarë amerikanë. Zyrtarët afgane thonë se objekti i sulmit ishte një kolonë e automjeteve të NATO-s. Shpërthimi ndodhi në perëndim të qytetit, në një zonë afër parlamentit afgan dhe shumë ndërtesave qeveritare si dhe një qendër rekrutimi të ushtrisë. Sulmuesi vetëvrasës me bombë është njoftuar se po ngiste një makinë te ngarkuar me eksploziv. NATO-ja konfirmoi se gjashtë ushtarë të aleancës, përfshirë pesë trupa amerikane, ishin në mesin e 19 njerëzve që e humbën jetën nga sulmi vetëvrasës me automjet bombë në Kabul. Ministria e brendshme e Afganistanit tha se 12 civilë afganë gjithashtu janë në mesin e të vrarëve. Shumica e tyre udhëtonin në një autobus publik.
Sulmuesi e aktivizoi automjetin me eksploziv në çastin kur automjetet e NATO-s po kalonin afër parlamentit dhe ndërtesave tjera qeveritare.
Kosovë
LDK-ja shqyrton mundësinë e prishjes së koalicionit
Vetëm pak kohë ka kaluar kur qeveria e Kosovës iu nënshtrua riformatimit me ministra dhe LDK-ja shqyrton mundësinë për prishjen e koalicionit. Partia Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbledhë gjatë javës Këshillin e Përgjithshëm të saj, për të diskutuar një sërë propozimesh, mes të cilave spikat ai për prishjen e koalicionit me PDK-në. Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, sipas të cilave propozimi për prishjen e koalicionit qeveritar është bërë dhe do të paraqitet në mbledhje nga dega e katërt e LDK-së.
Serbi
Fillojnë hetimet formale për varrezën masive
Prokurorët e krimeve të luftës në Serbi kanë filluar procedurat ligjore për zhvarrosjen e trupave të pajetë nga varreza masive ku besohet të jenë 250 shqiptarë nga Kosova. Zyra e prokurorisë tha se i ka kërkuar gjykatës për krime të luftës të hapë hetime për varrezën e cila u zbulua afër kufirit me Kosovën. Deklarata thotë se hetimet në terren do të pasohen nga autopsitë dhe identifikimi i viktimave. Prokurorët serbë thonë se varreza masive mund të ketë rreth 250 trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.
Greqi
Qeveria merr ndihmën prej 20 miliardë eurosh
Vetëm një ditë para pagimit të borxhit prej 9 miliardë dollarësh, Greqia ka marrë këstin e parë të ndihmës prej 20 miliardë eurosh.
“Kësti i parë i ndihmës financiare për Greqinë u transferua më 18 maj. Gjithsej do të jenë 20 miliardë euro, nga të cilat 14.5 miliardë nga vendet anëtare të eurozonës, dhe 5.5 miliardë nga FMN-ja”, tha eurokomisioneri për Ekonominë, Oli Rehn. Shefi financiar i grupit të euros, Zhan Klod Junker, tha se euroja mbetet “valutë e besueshme”. Ai i bëri këto komente pasi euro ra në nivelin më të ulët në katër vitet e fundit.
Tajlandë
Protestuesit pranojnë dialogun me qeverinë
Një nga liderët e “këmishëve të kuqe”, Natauut Saikua do të marrë pjesë në bisedimet me qeverinë. Në një konferencë për shtyp ai ka deklaruar se vendimi është marrë për shmangien e viktimave të tjera. Të paktën 38 persona kanë vdekur në ditët e fundit në Bangkok, në luftimet mes manifestuesve antiqeveritarë dhe trupave ushtarake. Dy ditë më parë manifestuesit vazhduan të qëndronin në kampin e tyre në qendër të Bangkokut, duke sfiduar ultimatumin e qeverisë për largim.
Përgatiti: Blerin
19 Maj 2010