E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfirmohet rasti me malarie



Marrin fund dyshimet e mjekëve për 17-vjeçarin e izoluar para disa ditësh tek Infektivi, i cili rezulton se është i prekur nga malaria. Konfirmimi është dhënë dje nga drejtoresha e Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, e cila deklaroi se pacienti është i prekur nga malaria e formës së lehtë. Ndërkaq, Bino shpjegon dhe shkaqet e infektimit të pacientit. Sipas saj, malaria u importua nga Greqia, pasi nga investigimi epidemiologjik, ka rezultuar se pacienti ka qëndruar një vit më parë për një periudhë 6 mujore në Ishullin e Korinthit, zonë ku ka qarkulluar malaria. Gjithsesi, megjithë konfirmimin e sëmundjes, Instituti i Shëndetit Publik e konsideron pacientin e prekur nga malaria, jo të rrezikshëm për familjarët e shoqërinë. Sipas Binos, përveç pacientit, janë ekzaminuar dhe 6 persona të tjerë, të cilët kanë qenë së bashku me 17-vjeçarin në Greqi, por ata kanë rezultuar të pa infektuar nga malaria. 17-vjeçari i infektuar nga malaria, i cili është nga fshati Zall Herr i Tiranës, u izolua të premten e javës së shkuar në Spitalin Infektiv pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Bashkia Kamëz dy shkolla të reja për vitin e ri mësimor

Vitin e ri mësimor, Bashkia e Kamzës do t’i mirëpresë nxënësit në dy shkolla të reja 9-vjeçare. Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, priti dje në një takim përfaqësues të Bankës Botërore (BB) dhe të Ministrisë së Arsimit (MASH), të ngarkuar për të ndjekur nga afër punimet e dy shkollave, që po ndërtohen në Kamëz me fondet e Bankës Botërore. Investimi i Bankës Botërore konsiston jo vetëm në ndërtimin e këtyre dy shkollave që po ndërtohen aktualisht, por edhe i segmenteve të ndryshme rrugësh që janë ndërtuar, si dhe së shpejti pritet që të fillojnë punimet për ndërtimin e dy shkollave të tjera me fondet e BB-së. “Aktualisht punimet në këto dy shkolla janë drejt përfundimit dhe në shtator ato do të mirëpresin nxënësit për të filluar normalisht vitin mësimor 2010-2011”, - është shprehur kryetari i Bashkisë së Kamzës. Projekti për ndërtimin e shkollës së re 9-vjeçare në Kamëz, si dhe për shkollën 9-vjeçare Zall-Mner i Ri, është hartuar mbi bazën e detyrës së projektimit të vënë në dispozicion nga MASH-i, sipas projektit “Cilësi dhe Barazi në Arsim”. Shkolla e Re 9-vjeçare në Kamëz ka 24 klasa, 6 laboratore, palestër, sallë aktivitetesh, kujdes mjekësor dhe psikologjik, bibliotekë, nyje hidrosanitare, një pandus për invalidët (shkallë për invalidët) etj. Shkolla 9-vjeçare Zall-Mner i Ri ka 24 klasa mësimi dhe katër laborator, kabinet informatike, gjuhëve të huaja, bibliotekë, kujdes mjekësor dhe psikologjik, nyje hidrosanitare, shkallë për invalidët.

19 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›