E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të rolit të Shqipërisë në luftën e Kosovës

Misteret që ngrihen pas arrestimit të Sabit Gecit

Nick Thorpe

Pas arrestimit këtë muaj në Kosovë të një personi të akuzuar për krime lufte, Nick Thorpe i BBC-së viziton Shqipërinë, e cila është në qendër të hetimeve të drejtuara nga BE-ja për ushtrim torture dhe vrasjesh. Durrësi është një destinacion shumë i kërkuar për pushime, por është implikuar në një kapitull të errët të historisë. Hotel Drenica ende e hijeshon plazhin e qytetit që shtrihet në brigjet e Adriatikut. Ai është një nga hotelet dhe restorantet e shumtë që presin fluksin e pushuesve të verës.

Fëmijët kridhen, për herë të parë këtë sezon, në ujërat e ngrohta të detit, djemtë luajnë futboll në rërë, ndërsa prindërit pinë kafenë dhe i ndjekin me sy nga tarraca.
Lidhjet me Kosovën fqinje janë të forta. Dhjetëra mijë refugjatë gjetën këtu strehë gjatë luftës dhe vendasit janë krenarë për ndihmën që u ofruan vëllezërve shqiptarë kur ata kishin aq shumë nevojë për të.
Shumë nga baret mbajnë emra që lidhen me Kosovën. Gjatë konfliktit të viteve 1998-99, Hotel Drenica ishte epiqendër e gjithçkaje; - aty ishte selia vendore e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në pjesën e prapme të hotelit ende ruhet një pllakë e kuqe mermeri ku është skalitur një ushtar dhe inicialet UÇK.

Marrja në pyetje
Arrestimi i Sabit Gecit në Prishtinë, më 6 maj, si dhe një hetim në zhvillim e sipër nga Njësia e EULEX-it për Krimet e Luftës, duket se do ta nxjerrë në një plan tjetër rolin e Durrësit.
"Sa herë hapnin derën ne na kapte paniku, mendonim se cilit prej nesh i kishte ardhur radha," ish-i burgosur në qendrën e ndalimit në Kukës. 51 vjeçari Geci akuzohet për torturimin dhe vrasjen e të burgosurve shqiptarë të UÇK-së në vitin 1999, në një qendër ndalimi brenda një baze të UÇK-së në Kukës, qytet në veri-lindje të Shqipërisë. Sipas hetuesve, rreth 40 prej të keqtrajtuarve në Kukës ishin mbajtur të paraburgosur nga UÇK-ja në Durrës.
Në Kukës mbaheshin edhe të burgosur serbë - që duket se ishin rrëmbyer, sjellë nga matanë kufirit dhe mbajtur në një dhomë të veçantë.
Avokatët e zotit Geci thonë se ai i mohon të gjitha akuzat dhe se gjatë periudhës për të cilën bën fjalë EULEX-i, prill-maj 1999, ai ishte për mjekim në Slloveni.

Marrja në pyetje

Kur ushtria dhe forcat paraushtrake serbe u hodhën në ofensivë në Kosovë, në pranverën e vitit 1999, duke përzënë 800 mijë kosovarë nga shtëpitë dhe duke vrarë mbi 10 mijë syresh, shumë refugjatë gjetën strehim në Shqipëri. Shumë refugjatë kosovarë përfunduan në një kamp refugjatësh në Kukës. Disa qëndruan në kampe të improvizuara refugjatësh pranë kufirit. Të tjerët u shpërndanë nëpër Shqipëri, ku një qendër turistike jashtë sezonit si Durrësi u bë shumë e dobishme.
UÇK-ja shfaqi kuriozitet për disa prej të porsaardhurve. Përse të rinj në moshën e ushtrisë nuk bashkoheshin me UÇK-në, në konfliktin e pabarabartë me serbët? A mos kishte mes tyre nga ata që kishin bashkëpunuar me serbët në të kaluarën? A kishte mes tyre shqiptarë, përkrahës të fraksioneve kundërshtare politike apo ushtarake? Mos kishte edhe prej atyre që ishin dërguar për të spiunuar për llogari të serbëve, për të zbuluar kanalet e furnizimit të UÇK-së me trupa dhe armatim?
Në Durrës, marrjet në pyetje u bënë në Hotel Drenica.
"Këtu kanë ndodhur gjëra të këqija," - thotë një burrë në plazhin e Durrësit, duke bërë me kokë nga Hotel Drenica, "por për këtë nuk dua të flas.". Autobusë të veshur me flamujt shqiptarë, kuq-e-zi i çonin në front rekrutët, me hir a me pahir.
Disa burra ishin burgosur dhe mbajtur në kushte të tmerrshme në mjedise të izoluara brenda kampeve të UÇK-së. Një prej tyre në Kukës, një fabrikë e dalë janë funksionit, ishte ndër më të këqijat. Vitin e kaluar, gjatë një hetimi, BBC-ja kontaktoi me ish-të burgosur. "Sa herë hapnin derën, ne na kapte paniku, mendonim se cilit prej nesh i kishte ardhur radha," - na tha një prej të mbijetuarve të kampit.
"Atje nuk kishte roja. Ata që vinin nga fronti dhe kishin humbur të afërmit na rrihnin, ose na kërcënonin me armë automatike." "Një burrë e vranë para gjithë të burgosurve në atë dhomë, edhe unë isha aty. Atë e qëlluan dhe e lanë të vdiste."
Dëshmitari shtoi se mund ta kishte kuptuar një keqtrajtim të tillë, sikur ai ta kishte tradhtuar kauzën shqiptare.

“Keqpërdorim i uniformës”

Vitin e kaluar, kryeministri i Kosovës dhe ish-komandant politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, mohoi që UÇK-ja të kishte keqtrajtuar të burgosur në Kukës apo gjetkë. Ai i tha BBC-së: "Kjo thjesht nuk ka ndodhur. Në asnjë kohë, në asnjë rast, në asnjë vend ... Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka të bëjë fare me këtë."
Si shumë lokale të tjera në Durrës, Hotel Drenica krenohet me lidhjet që ka me Kosovën.
Ai e pranoi se pas luftës ishin kryer krime, por tha se autorët "pretendonin se i përkisnin UÇK-së", ngaqë vishnin uniformën e saj.
Por hetuesit e EULEX-it për krimet besojnë se zoti Geci, që thuhet se ka qenë një figurë e rëndësishme e kundërzbulimit të UÇK-së në Kukës, ka marrë pjesë në rrahjen e të burgosurve atje. Më 12 maj, në qytetin e Prizrenit, në perëndim të Kosovës u bastis shtëpia e Xhemshit Krasniqit, një shqiptar tjetër i Kosovës. Njoftohet se ishin marrë disa sende.
EULEX-i trashëgoi 980 raste të krimeve të luftës nga misioni në largim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Ata e kanë ngushtuar rrethin e hetimit në vetëm 20 raste, - dy prej të cilëve janë matanë kufirit, në Shqipëri.
Por ata thonë se kërkesat e tyre për ndihmë, për të vizituar ish-kampet, intervistuar dëshmitarët dhe hapur varret, nuk janë dëgjuar nga qeveria shqiptare. Në shkurt të këtij viti, Philip Alston, reporteri special i Kombeve të Bashkuara për vrasjet pa gjyq, vizitoi Shqipërinë dhe raportoi se "asnjë nga përpjekjet ndërkombëtare për hetimin e abuzimeve të UÇK-së në Shqipëri nuk kishte pasur bashkëpunimin kuptimplotë të qeverisë së Shqipërisë". Zëvendëskryeministri dhe ministër i jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, e mohon këtë. "Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar për respektimin ... e ligjit ndërkombëtar dhe unë mendoj se do t'i japim përgjigjen e duhur çdo kërkese", - i tha ai BBC-së.
"Edhe me EULEX-in?- e pyeta.
"Pse jo?", - u përgjigj ai.

19 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›