Kanceri i qafës së mitrës, vaksinë falas për parandalimin
Jonida Tashi
Instituti i Shëndetit Publik ka menduar ta përfshijë vaksinën kundër kancerit të qafës së mitrës në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit. Kjo nismë do të ndërmerret për të parandaluar shfaqjen e sëmundjes së rëndë tek moshat e reja, pasi vendi ynë po numëron frikshëm rastet e kancerit të qafës së mitrës tek femrat, kryesisht të moshave 20 deri në 30 vjeçe. Sipas drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, shifrat e larta të përhapjes së kancerit në qafën e mitrës në vendin tonë lidhen me mungesën e një programi depistimi. Për këtë, ai bën të ditur se përveç Tiranës e Durrësit, qytetet e tjera kanë mungesë kapacitetesh diagnostikuese, ç’ka bën që virusi i kancerit të qafës së mitrës të kapet në stade të larta. “Ne nuk kemi një program depistimi dhe përveç Tiranës e më pak Durrësit, në rrethe të tjera të vendit ka mungesë ekzaminimesh për kapjen e hershme të virusit të papilomas, prej të cilit shkaktohet kanceri i qafës së mitrës”, - u shpreh Ylli.
Vaksina
Deri tani nuk ka ende një datë të caktuar se kur vaksina e kancerit të qafës së mitrës do të jetë falas, pasi momentalisht vendi ynë nuk ka mundësi ekonomike për rimbursimin e saj, e cila kushton jo pak, por 600 euro (tri doza vaksine). Kostoja e lartë e blerjes së kësaj vaksine ka bërë që ajo të mos sigurohet dot nga familjet shqiptare, pasi është e papërballueshme për pjesën më të madhe të tyre. Ndërkohë që nëse vaksina do të ofrohej falas, sigurisht që përhapja e kancerit të qafës së mitrës do të ishte në shifra më të ulëta. Ky fakt pranohet edhe nga vetë kreu i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, sipas të cilit, kjo vaksinë parashikohet të parandalojë sëmundjen te rreth 90 për qind e popullatës femër, ndërsa mendohet që të nisin programe të reja depistimi me kosto shumë të lirë për femrat e moshës 30 vjeç, të cilat, për efekt të kostos së lartë nuk mund të përfshihen në kalendarin e vaksinimit.
Të dhënat
Në Shqipëri mungojnë të dhënat për sëmundshmërinë nga kanceri i qafës së mitrës, por sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mendohet se çdo vit diagnostikohen rreth 300 raste të reja. Kjo sëmundje zë vendin e dytë për sa i takon vdekshmërisë tek gratë, pas kancerit të gjirit. Rritja e të sëmurëve me kancer dhe e numrit të vdekjeve nga pacientet me kancer në qafën e mitrës, e ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të hartojë politika dhe projekte për parandalimin e kësaj sëmundjeje. Një ndër to është futja e vaksinës së kancerit të qafës së mitrës, në kalendarin kombëtar të vaksinimit. Aktualisht vaksina kundër kancerit në qafën e mitrës është në tregun farmaceutik, por kostoja e blerjes së saj është e shtrenjtë. Ndërkohë që sipas planeve të Ministrisë së Shëndetësisë, futja e vaksinës në kalendarin e vaksinimit, pra të mbulohet nga fondet e shtetit do të bëhet në rangun e 3-5 vjetëve të ardhshme, sepse ka një plan të caktuar për futjen e vaksinave të reja.
Çfarë është vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës
Falë arritjeve të shkencës, sot është prodhuar një vaksinë e cila të mbron nga infektimi me virusin i papilomës njerëzore (HPV). Vaksina siguron një mbrojtje të lartë për dy tipet e virusit që janë shkaktarët më të shpeshtë të kancerit të qafës së mitrës. Fatmirësisht vaksina sot gjendet edhe në Shqipëri. Vaksina rekomandohet të bëhet para fillimit të aktivitetit seksual, pra, para infektimit me virusin HPV. Mosha optimale e rekomanduar është ajo midis moshës 9-26 vjeçe. Në këtë grup popullate vaksina ka treguar efektivitet maksimal. Megjithatë, vaksina ka qenë efektive edhe në grup moshat mbi 26 vjeçe deri në 55 vjeçe. Të dhënat shkencore tregojnë që vaksina është e efektshme deri në moshën 55 vjeçe. Për grup moshat mbi 26 vjeçe rekomandohet bërja e HPV testit përpara vaksinimit. Vaksinimi e ul rrezikun e kancerit të mitrës, por nuk e eliminon nevojën e bërjes së PAP-TESTIT. Të dyja së bashku mbrojnë nga kanceri i qafës së mitrës.
Femrat që rrezikohen prej kancerit të qafës së mitrës
Çdo grua mund të preket nga kanceri i qafës së mitrës. Por një femër është më e rrezikuar për t’u prekur nëse:
ka filluar herët aktivitetin seksual;
ka partnerë seksual të shumtë;
ka partnerë, të cilët kanë pasur shumë partnere seksuale;
ka një infeksion nga virusi i papilomës njerëzore (HPV);
nëna, motra apo gjyshja e tyre ka pasur kancer të qafës së mitrës;
ka apo ka pasur një infeksion seksualisht të transmetueshëm përfshi HIV/AIDS;
pi duhan;
ka pasur shtatzëni të shumta;
ka imunitet të ulët.
19 Maj 2010