OKB, luftë diplomatike Lituani –Serbi

Ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, ka shkaktuar një betejë diplomatike në Evropën Lindore, me kandidaturën e tij për njërin nga postet kryesore në sistemin e Kombeve të Bashkuara.
Lituania e ka akuzuar Rusinë për rihapjen e plagëve të Luftës së Ftohtë, duke e mbështetur Jeremiçin kundër kandidatit të Lituanisë për postin e presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ministri i jashtëm i Lituanisë, Audronius Azubalis, tha se Jeremiçi është përpjekur ta “shantazhoj” vendin e tij në këtë garë në OKB.
AFP raporton nga Nju Jorku se Vuk Jeremiç është ndër ministrat e jashtëm më të njohur në Evropën Lindore, për shkak të paraqitjeve të tij të rregullta në seancat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me Kosovën.
Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme së OKB-së, me 193 anëtarë, zakonisht zgjidhet për një vit, ndërsa pesë grupe rajonale ndërrohen çdo vit në paraqitjen e kandidatit. Kësaj radhe këtë e bënë grupi i Evropës Lindore.
Por, meqë të 23 vendet në këtë grup nuk kanë arritur konsensus ndërmjet Vuk Jeremiçit dhe ambasadorit të Lituanisë në OKB, Dalius Sekuolis, i mbetet Asamblesë që të votoj në qershor për postin e kryesuesit të saj.
Kjo po ndodhë për të parën herë që prej vitit 1991.