OKB, sanksione për Libinë
Këshilli i sigurimit i OKB-së ka votuar unanimisht për të vendosur sanksione ndaj regjimit të Muamar Gedafit dhe përpjekjeve të tij për të shtypur me forcë një revoltë popullore në Libi. Ndëshkimet kanë të bëjnë me vendosjen e një embargoje armesh, ngrirjen e aseteve, si edhe dërgimin e kolonelit Gedafi në Gjykatën Ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit. Lideri libian kontrollon vetëm kryeqytetin e vendit, Tripolin, ndërsa në Libi kanë nisur bisedimet për formimin e një qeverie të përkohshme anti-Gedafi. Ish-ministri i drejtësisë u shpreh se një ekip i përberë nga figura ushtarake dhe civile do ta përgatisë vendin për zgjedhje brenda tre muajve. Plani është mbështetur nga OKB-ja dhe ShBA-të. Okb-ja vlerëson se më shumë se 1 mijë persona kanë humbur jetën gjatë revoltës 10 ditore kundër regjimit të kolonelit. Në vend vazhdojnë evakuimet e shtetasve të huaj, ndërsa situata paraqitet e tensionuar.
Shpërndaje