E Diel, 1 Nëntor 2026

OMONIA: Qeveria e re s’ka ministër minoritar, PBDNJ të riorientojë qëndrimin politik

TIRANE - Organizata OMONIA ngre dyshime nëse qeveria e re do të mbrojë minoritetin, pasi në përbërjen e saj nuk ka asnjë ministër minoritar. Pas publikimit të emrave të ministrave të rinj, OMONIA konsideron se Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut duhet të riorjentojë qëndrimin e saj politik.

“Komunikimi i sotshëm i Kryeministrit potencial Edi Rama, mbi kompozimin dhe përbërjen e kabinetit qeveritar, sikundër predispozohet ta propozojë për miratim institucional në muajin Shtator, ka krijuar habi të justifikuar dhe përforcon rezervat, në gjirin e Komunitetit Etnik Grek. Mospërfshirja në mënyrë të drejtpërdrejtë në përbërjen e qeverisë me post ministri, të një pjesëtari të Komunitetit Etnik Grek ndonëse kjo përbën praktikë që nga kalimi normal në demokraci më 1991, për më tepër të propozuar drejtpërdrejt nga Bashkimi për të Drejtat e Njeriut – PBDNJ, është një ogur jo pozitiv. Rezervat tona politike lidhen sigurisht me faktin se sa dhe si forcat që po ndërmarrin qeverisjen e re kanë vullnetin dhe do të punojnë për avancimin e mëtejshëm të të drejtave të Minoritetit Etnik Grek. Kjo në përputhje dhe sipas standardeve të BE kundrejt të cilit dhe procedurave të përafrimit të mëtejshëm integrues në të, Qeveria Shqiptare është e angazhuar. Zhvillimet e ditës së sotme, sidoqoftë, ngrenë pikëpyetje serioze dhe hedhin hije mosbesimi.”- thuhet në deklaratën e OMONIA-s.

“Përpos këtyre ne si OMONIA i drejtojmë apel Bashkimit për të Drejtat e Njeriut – PBDNJ të riorientojë qëndrimin e tij politik në bazë të zhvillimeve të sotme. Nuk bëhet fjalë për interes mikropolitik por për çështje parimore që lidhen drejtpërdrejt me terrenin sensibël të pozicionit të MEG.”- përfundon deklarata.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›