E Shtunë, 31 Tetor 2026

ORA e vogël në LDK

Partia Reformiste ORA përfundimisht nisi të hënën shkrirjen në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Vendimi për t’iu bashkuar LDK’së është marrë të dielën në Kuvendin e Përgjithshëm të kësaj partie, ku Dega e Gjilanit dhe e Gjakovës kanë kundërshtuar një hapë të tillë.

Megjithëkëtë, kryetarja e deritashme e ORA’s, Teuta Sahatqija ka thënë në një konferencë shtypi se po bashkohen me LDK’në pas rezultateve zhgënjyese në tri palë zgjedhjet e fundit.

“Mendoj që zgjedhjet kanë përçuar një mesazh dhe ai mesazh është që prioritet mund t’i jepet ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe të krijimit të një Kosove Europiane. Mendoj se këto janë pika ku LDK’ja dhe ORA pajtohen plotësisht”, ka thënë Sahatqija.

Ajo ka njoftuar se është formuar një Komision i ORA’s, i cili do të merret me pozicionimin e të gjitha strukturave të partisë duke filluar nga niveli lokal, qendror dhe në Ekzekutiv të LDK’së.

Ajo ka dhënë një shpjegim edhe për revoltën e Degës së ORA’s në Gjakovë.
“Mendoj që është normale që në këto situata të kihen emocione, por besoj se duke i njohur anëtarët e Gjakovës, besoj se edhe ata pas kalimit të një kohe, do të na bashkohen”, ka thënë ajo.

Kryetarja e ORA’s ka njoftuar se strukturat e partisë do të vazhdojnë të funksionojnë, deri në bashkimin final me LDK’në. Derisa ka dhënë sinjale se në të ardhmen mund të jetë pjesë ekzekutive e LDK’së.

“Vetë fakti se anëtarët e ORA’s do të jenë pjesë e të gjitha strukturave të LDK’së, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror dhe nesër në ekzekutiv, tregon se këtu bëhet fjalë për bashkim të forcave. E, bashkimi bën fuqi”, ka shtuar ajo.

Edhe zyrtarët e LDK’së kanë konfirmuar se bisedimet janë në fazën finale për përcaktimin pozitave për strukturat ORA’s brenda partisë së dytë në Kosovë.

“LDK’ja mirëpret vendimin e ORA’s për t’u bashkuar me partinë tonë. Detajet e marrëveshjes do të bëhen të ditura të martën”, ka thënë Zëdhënësi i LDK’së, Vehbi Miftari.

Por, burime të Expressit brenda LDK’së kanë konfirmuar se Kryetares së ORA’s i është komunikuar lajmi se nuk do të mund të bëhet njëherë për njëherë as Nënkryetare e as anëtare e Kryesisë së LDK’së.

“Askush në LDK nuk mund të shpërblehet për një natë me poste në LDK”, ka thënë njëri prej Nënkryetarëve të LDK’së për Express.

Megjithëkëtë, Kryetarja e ORA’s, Teuta Sahatqija shprehet optimiste për të ardhmen e saj dhe të LDK’së.

“Ashtu siç ka qenë njëzet vjet përpara, LDK’ja, forcë që i ka mbledhur njerëzit për krijimin e një Kosove të pavarur, tash e pamë gatishmërinë e tyre që LDK’ja të transformohet në një fuqi që do të luftojë për shtetndërtim dhe për një Kosovë Europaine”, ka parashikuar Sahatqija.

Ku mbetet Surroi?

E pyetur për fatin e Veton Surroit që ka qenë themelues i ORA’s, Sahatqija ka thënë se ai ka qenë anëtar i partisë, por nuk ka sqaruar të ardhmen e tij në partinë e re – LDK.

“Surroi, i cili është themelues i ORA’s, ka dhënë dorëheqje prej Kryetarit të ORA’s, por ai është anëtar i ORA’s. Ka qenë i ftuar në Kuvendin që është mbajtur të dielën, por ai nuk ka qenë në Kosovë dhe nuk ka pasur mundësi të marrë pjesë në Kuvend”, ka thënë ajo.

Partia Reformiste ORA është themeluar në vitin 2004 nga publicisti Veton Surroi. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2004, kjo parti kishte arritur të siguronte 7 ulëse në Parlamentin e Kosovës. Por, suksesi i zgjedhjeve të para ishte përmbysur më 2007, ku nuk arriti të kalojë pragun zgjedhor prej 5 për qind. Kjo e pati shtyrë Veton Surroin të vendosë të mos kërkojë më votën e qytetarëve.

Edhe në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar, ORA vazhdoi me rënie të elektoratit dhe nuk mori as votat e zgjedhjeve të 2007’s. Kjo i shtyri udhëheqësit e kësaj partie të mos e respektojnë programin e qendrës së majtë dhe të bashkohen me LDK-në, e cila pretendon se është e djathtë..

ORA e Gjilanit, me PDK’në

Kryetari i ORA’s në Gjilan, Ismet Hajdini ka thënë se do të vazhdojë aktivitetin e saj si subjekt i pavarur deri në vendimin definitiv për të ardhmen e saj dhe nëse ndodh bashkimi me LDK-në, atëherë edhe Gjilani do ta respektojë atë, ndonëse shtoi se Dega e Gjilanit i ka duart e lira në këtë çështje.

“Dega e Gjilanit do ta respektojë marrëveshjen që e ka koalicioni G3 me PDK’në, për të mbështetur kandidatin e saj Qemajl Mustafa, ndonëse duhet bisedime shtesë tani para datës 14 mars, por nuk duhet përjashtuar as variantet e tjera, varësisht prej zhvillimeve të përgjithshme politike në ditët në vijim”, ka thënë Hajdini për Kosovapress.

Parti lokale në Gjakovë

Dega e Partisë ORA në Gjakovë, nga e hëna është shndërruar në parti lokale, duke mos pranuar vendimin e Kryesisë së saj në qendër, e cila u bashkua me LDK-në. Kryetari i Degës, Gazmend Hoxha, së bashku me anëtarët e tjerë të Kryesisë, vendimin e Kryesisë së qendrës për bashkim me LDK-në e kanë vlerësuar si hap të gabuar.

“Qëndrimi i Kryesisë së Degës është dhe do të mbetët që ORA të veprojë përsëri si subjekt i pavarur, por në koalicion dhe bashkëqeverisje me AAK-në”, ka thënë Gazmend Hoxha, kryetar i Degës ORA në Gjakovë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›