E Diel, 1 Nëntor 2026

ORA kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës

“Me Kushtetutën e Kosovës territori i Kosovës është i pandarë dhe institucionet kanë sovranitet të plotë mbi atë territor. Në këtë kontekst kohor, i të qenit shtet i pavarur, larg rrjedhave të afrimit me BE nëpër të cilat po kalojnë shtetet fqinje, Kosova ka nevojë për ide për integrim të komuniteteve e jo për ide për largim të tyre”, ka vlerësuar Partia Reformiste ORA.

Ideja e shkëmbimit të territoreve, sipas partisë ORA, as që ishte diskutuar po që se institucionet tona do të kishin treguar kompetencë, po të kishin treguar ide të qartë dhe plan si ta afrojnë komunitetin serb në rrjedha institucionale apo si ta zgjidhin çështjen e veriut.

“Ideja e shkëmbimit të territoreve sot, mund t’i shkaktojë Kosovës një largim edhe më të madh nga rrjedhat e integrimeve evropiane të cilat edhe ashtu nuk tregojnë bujari ndaj nesh”, thuhet në një komunikatë të kësaj partie, ku po ashtu theksohet se, kjo ide “do t’i jepte arsye dhe forcë elementeve destruktive në Beograd për manipulim me komunitetin serb në Kosovë”.

Bashkësia Ndërkombëtare, e veçanërisht BE do të ndikonte shumë pozitivisht në të gjithë regjionin përmes koordinimit të hapave për kyçje afërsisht në kohën e njëjtë të shteteve të Ballkanit me Evropën, vlerëson kjo parti.

Partia Reformiste ORA po ashtu ka përsëritur kërkesën e saj për vendosjen e kamerave në zgjedhjet lokale dhe mendon se prioritet duhet të jetë vullneti politik i partive për të pasur zgjedhje të lira dhe demokratike dhe sigurimi i votuesit se vota e tij do të arrijë në destinacion. Njëkohësisht ORA ka kërkuar që fletëvotimet të kenë numra serik.

Start/Telegrafi

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›