E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE, Grossruck: Zgjedhjet, sukses i merituar i qeverisë

Athinë, Grussruk raporton 28 qershorin në AP-në e OSBE-së

“Shqipëria, progres jashtëzakonisht të madh”

Progresin e arritur më 28 qershor në Shqipëri, të cilin e pa nga afër gjatë vëzhgimit të zgjedhjeve, Wolfgang Grossruck e raportoi dje në Athinë para Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Sipas tij, Shqipëria ka bërë një hap jashtëzakonisht të madh përpara në drejtim të demokracisë. Grussruck vuri në dukje se këto janë zgjedhjet më të mira të bëra ndonjëherë në Shqipëri. “Uroj që pas suksesit të këtyre zgjedhjeve, Shqipëria të ecë më tej në vazhdën e këtij suksesi, në rrugën e demokracisë”, - u shpreh zyrtari i lartë i OSBE-së. Asambleja Parlamentare e OSBE-së u mblodh dje në Athinë me pjesëmarrjen e delegacioneve nga të gjitha vendet anëtare. Në seancën e radhës, Komiteti Drejtues i Asamblesë, i përbërë nga krerët e delegacioneve, dëgjoi raportimet e krerëve të misioneve vëzhguese të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për zgjedhjet e zhvilluara së fundmi në Moldavi, Kazakistan dhe Shqipëri. Raportimin për zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri e prezantoi kreu i vëzhguesve të OSBE-së, zëvendëskryetari i Asamblesë Parlamentare, Wolfgang Grossruck. Në prezantimin e tij, z. Grossruck falënderoi për bashkëpunimin e shkëlqyer autoritetet shqiptare, Ministrinë e Brendshme, KQZ-në, Prezencën e OSBE-së në Tiranë dhe ambasadorin Bosch. “Në raport kemi thënë se kishte një procedurë numërimi, shumë të komplikuar, pasi vota duhej të fotografohej, të depozitohej dhe më pas vota të vlerësohej. Kështu që u deshën tri javë që të dilte rezultati final i zgjedhjeve. Ndonëse, për këtë arsye, në disa qendra votimi u shfaqën probleme, ne shkuam më 23 gusht në Shqipëri, tri javë pas zgjedhjeve, si përfaqësues të parlamenteve të ndryshme. Me ODIHR vendosëm që të bëjmë një raport të përbashkët”, - u shpreh z. Grussruck. Më tej, gjatë raportimit në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, ai foli për konkluzionet e arritura rreth zgjedhjeve shqiptare të 28 qershorit. “Dolëm me përfundimin bashkërisht se Shqipëria ka bërë një hap jashtëzakonisht të madh përpara në drejtim të demokracisë. Ne të gjithë ramë dakord se këto janë zgjedhjet më të mira të bëra ndonjëherë në Shqipëri, madje më të mira se ato të vitit 2005”, - u shpreh zyrtari i lartë i OSBE-së. Ne, - shtoi Grussruck, - konsiderojmë se disa probleme që konstatuam duhet të zgjidhen deri në zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, misioni në Shqipëri ishte një mision plotësisht i suksesshëm. Në konkluzionet e tij, Presidenti i kësaj Asamblesë, z. Joao Soares, e konsideroi një sukses misionin vëzhgues të OSBE-së në zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri dhe falënderoi kolegët pjesëtarë të misionit për punën e bërë, ç’ka u shoqërua dhe me duartrokitjet e Komitetit Drejtues të Asamblesë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›