E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, KE: S’ka vend për kontestime

Raporti: Zgjedhjet, të arrira dhe brenda standardeve

KE publikon progres-raportin më 15 tetor

Opozita shqiptare së shpejti do të marrë një tjetër goditje të fortë ndërkombëtare ndaj bojkotit të Kuvendit. Kjo, për faktin se Komisioni Evropian ka bindjen e plotë se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit ishin më të mirat dhe nuk lënë vend për kontestime. KE-ja vlerëson se zgjedhjet e zhvilluara më 28 qershor ishin të arrira, brenda standardeve dhe si të tilla, pa hapësira për t’u kontestuar. Kjo pikë është pjesë e progres-raportit të Komisionit Evropian që do të publikohet zyrtarisht më 15 tetor nga zyra e saj informative në Tiranë, e cila bëhet e ditur se është duke mbyllur përkthimin e dokumentit dhjetëra faqësh. Në progres-raport vlerësohet se në zgjedhjet parlamentare u vunë re hapa të konsiderueshme përpara, ndërsa theksohet se ka ende për të bërë, duke kërkuar që të përmirësohen problemet që evidentoi më herët OSBE dhe ODIHR, që publikoi dhe raportin final ku vlerësimet ishin të ngjashme. Sipas Komisionit Evropian, Shqipëria merr notë kaluese për zgjedhjet e përgjithshme të qershorit, vlerësohet zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, por pika të dobëta në vend mbeten korrupsioni, shteti ligjor, pavarësia e gjyqësorit dhe ajo e institucioneve shtetërore, si dhe administrata. Ky dokument i KE-së, i shoqëruar me raportet e detajuara, evidenton çdo vit ecurinë e vendeve të Ballkanit dhe iu drejtohet 27 shteteve anëtare të BE-së për vlerësim. "Shqipëria ka bërë progres në reformat kyçe politike. Zgjedhjet e qershorit 2009 plotësuan pjesën më të madhe të standardeve ndërkombëtare, por më shumë përpjekje nevojiten ndaj parregullsive të vërejtura", - thuhet në dokumentin e brendshëm të Komisionit Evropian. Raporti do të publikohet më 15 tetor 2009 dhe qeveria “Berisha” ka punuar me vendosmëri për të përmbushur ato rekomandime që jepen në progres-raport, të cilat për qeverinë e integrimit evropian janë prioritet absolut. Vlerësimet dhe inkurajimet e progres-raportit të Komisionit Evropian kanë qenë dhe mbeten një pasqyrë reale e progresit të vendit në rrugën e tij drejt anëtarësimit evropian. Nga ana tjetër, duhet theksuar se ky dokument është stimuli kryesor i reformave për qeverinë shqiptare. Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka vendosur çdo vit një standard të ri zhvillimi dhe reformash. Për këtë arsye, monitorimi dhe vlerësimi i informacionit nga Komisioni Evropian intensifikohet çdo vit, duke marrë parasysh fazat e reja të procesit në të cilat ndodhet vendi ynë. Pas publikimit të progres-raportit 2008, qeveria shqiptare mori angazhimin për ta parë këtë raport si udhërrëfyes në zbatimin e reformave të saj.

KE: MSA, u zbatua pa pengesa

Progresi i Shqipërisë në drejtim të integrimit të vendit, bëri që bashkëpunimi mes BE-së dhe qeverisë shqiptare të mirëfunksionojë në mënyrë të përpiktë. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, që përbën bazën e marrëdhënieve Shqipëri-BE, vlerësohet të jetë zbatuar pa pengesa. Pas pjesës pozitive, radha iu vjen sfidave me të cilat përballet vendi. "Shqipëria duhet të bëjë progres, në veçanti ndaj shtetit ligjor, sidomos për luftën ndaj korrupsionit, sikundër për sa i takon funksionimit të duhur të institucioneve shtetërore, e në mënyrë të posaçme për pavarësinë e gjyqësorit. Kapacitetet administrative kërkojnë përforcim të mëtejshëm", - thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

Statusi, KE: Pa kuptim zvarritja e BE-së

KE e quan të pakuptimtë zvarritjen e BE-së për marrjen në shqyrtim të statusit të Shqipërisë si vend kandidat për anëtarësimin në familjen evropiane. Në projekt-strategjinë e KE-së vërehet paqartësia e hasur në lidhje me aplikimin e Shqipërisë për statusin kandidat, për shkak të zvarritjes së deritanishme nga Këshilli i BE-së. Për këtë, renditen disa formulime të ndryshme të cilat qëndrojnë pezull për momentin, për shkak të mosmarrjes së vendimit nga vendet anëtare. Gjithsesi, komisioni shpreh gatishmërinë për të nisur përgatitjen e opinionit për Shqipërinë, sapo këshilli t'i adresojë këtë mandat.

Vizat, Beja: Kuvendi, presion mbi qeverinë

Parlamenti kërkon nga qeveria përshpejtimin e procesit të heqjes së vizave për shqiptarët drejt zonës “Shengen”. Kuvendi do të ushtrojë presion ndaj Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Brendshme, për të përshpejtuar objektivat që Bashkimi Evropian i ka vënë Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave. I zgjedhur për të drejtuar komisionin e jashtëm parlamentar, Fatos Beja pohoi dje se ky kontroll do të kryhet për përshpejtimin e këtyre reformave. Në këtë pikë, ai nuk përjashton as miratimin e një rezolute nga Parlamenti, ku të nxitet qeveria veçanërisht në luftën ndaj korrupsionit apo kontrollin e kufijve. Por Fatos Beja shpreh keqardhje për mungesën e opozitës veçanërisht në këtë komision. Ai pohon se bojkoti ndalon opozitën të jetë pjesëmarrëse aktive në procesin ligjvënës. Kryetari i komisionit të jashtëm nuk kursen akuzat kur deklaron se ky qëndrim bëhet nga interesa të ngushta të kryetarit socialist. Megjithatë, kryetari i komisionit të jashtëm ndihet i privilegjuar që nga gjithë komisionet e tjera, ka një përfaqësues të opozitës që është deputeti Vangjel Dule.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›