E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Jemi vetëm vëzhgues në stadin aktual të ndryshimit të Ligjit Zgjedhor

Le të flasim për rolin e OSBE-së në Shqipëri. Sa herë që ka zgjedhje, ka shumë debat për ligjin zgjedhor dhe aspekte të tjera të procesit zgjedhor. Prania e OSBE-së në Tiranë ka qenë shumë e dukshme, sidomos në prag të zgjedhjeve. Ju keni dhënë ndihmë në procesin e reformës zgjedhore, keni ndihmuar në organizimin e zgjedhjeve, por thuajse te gjitha raportet tuaja pas zgjedhjeve kanë vërejtje për mënyrën e zhvillimit të tyre. Përse ndodh kjo?
Kur është fjala për zgjedhjet, misioni i OSBE-së është që të ndihmojë vendet e saj anëtare për të zhvillua një proces konsultimi demokratik sa më të mirë që të jetë e mundur. Ky, pra, është roli ynë. Nuk na takon neve që të japin gjykime. Ne jemi të angazhuar në një dialog të vazhdueshëm me secilin vend anëtar, jo vetëm me vende si Shqipëria, për të parë se ai ato mund ta përmirësojnë legjislacionin apo praktikat në përgatitjen e konsultimeve për një proces zgjedhor, në mënyrë që këto vende të kenë një demokraci të vërtetë. Sa herë që zhvillohen zgjedhje, vendet anëtare kanë marrë angazhim që të ftojnë vëhguesit e OSBE-së. Ne dërgojmë një ekip vëzhguesish afatgjatë, që qëndrojnë më gjatë në një vend për ta kuptuar edhe më mirë procesin zgjedhor dhe mënyrën se si funksionojnë gjërat në terren. Krahas tyre ne dërgojmë edhe një mision afatshkurtër vëzhguesish që ndjekin procesin e votimit ditën e zgjedhjeve. Zakonisht një ditë pas zhvillimit të zgjedhjeve bëhet një vlerësim paraprak. Ai nuk ka të bëjë më faktin nëse zgjedhjet kanë qenë të lira dhe ndershme, por deri në ç'masë vendi në fjalë, i cili është anëtar i OSBE-së, i ka përmbushur angazhimet e veta. Dhe ky vlerësim konsiderohet gjithmonë si një hap në të gjithë këtë proces.

Kohët e fundit në Shqipëri po zhvillohet debat për sistemin elektoral që do të përdoret në zgjedhjet e ardhshme. Dy forcat kryesore politike duket se favorizojnë një sistem të ashtuquajtur proporcional-rajonal, çka është kundërshtuar nga partitë më të vogla. A ka OSBE-ja ndonjë qëndrim për këtë çështje?
Unë mendoj se OSBE-ja dhe vendet e saj anëtare kanë një qasje shumë të thjeshtë për këtë, që një proces zgjedhor duhet t'iu krijojë mundësi votuesve që të votojnë në një mënyrë që ata ta dinë se vota e tyre do të ketë vlerë dhe do të respektohet. Ka një numër të konsiderueshëm sistemesh që përcaktojnë fituesit në vendet e ndryshme anëtare të OSBE-së. Ne i inkurajojmë vendet tona anëtare që ky sistem të jetë sa më i qartë dhe i besueshëm, në mënyrë që të shërbejë si hallkë lidhëse mes qytetarëve dhe personave të zgjedhur dhe jo të ngjallë keqkuptime apo mungesë besimi. Mendoj se debati që po zhvillohet prej disa kohësh në Shqipëri për ndryshimin e sistemit zgjedhor ka të bëjë edhe me këtë. Ky është një debat i vështirë që është brenda përgjegjësive të parlamentit shqiptar, i cili duhet të marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje.

Ku e shihni ju rolin e OSBE-së, qoftë edhe përmes ambasadorit tuaj në Tiranë, në këtë proces?
Ligji nuk është miratuar ende. Ai duhet të debatohet në parlament në mënyrë që të shndërrohet në një instrument që duhet të zbatohet në praktikë. Ne do të shohim se si do të funksionojë e gjithë kjo. Sigurisht ligji zgjedhor do të jetë një ndër elementët që do të merret parasysh nga vëzhguesit tanë afatgjatë kur ata të vlerësojnë kushtet në të cilat do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Vetëm në rastin kur na vjen një kërkesë nga autoritetet shqiptare, ne mund të bëjmë një vlerësim për aspektet e ligjit në fjalë. Deri tani nuk e kemi marrë një kërkesë të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›