E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet në Kushtetutë po përkrahen nga faktorët kryesorë të politikës

Ndryshimet e mundshme në Kushtetutë të propozuara nga Partia Demokratike dy ditë më parë në komisionin parlamentar të ligjeve, kanë qenë pika referuese e debatit të djeshëm në seancën plenare të Kuvendit. Një pjesë e deputetëve të kuvendit kanë mbështetur parimisht ndryshimet e mundëshme në Kushtetutë, kryesisht në amendimet e disa neneve të saj, që lidhen me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe një ndryshim lidhur me mocionin ndaj kryeministrit. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, deklaroi dje se varianti i propozuar nga Partia Demokratike për ndryshimet në kushtetutë, është një variant, i cili synon të përmirësojë ligjet, me të cilat është hasur vështirësi ndër vite. “E mira është që të miratohet gjithçka si një paketë e plotë, pasi koncepti ynë, është që Kushtetuta nuk është një han me shumë porta, ku mund të hyet e të dilet pa orar, por do të ishte shumë serioze të mbyllim çdo vatër potenciale krize që kjo kushtetutë mund të na krijonte”, u shpreh Patozi. Sipas tij, do të ishte tërësisht e nevojshme që të mos humbiste për ndryshimet në Kushtetutë. “Ti miratojmë shpejt dhe në bllok. Ndryshimet që ne propozojmë nuk i japin kompetenca kryeministrit”, tha Patozi. Ndërkohë, përsa u takon kushtëzimeve që do të mund të paraqiste kjo nismë, duke patur parasysh këtu edhe propozimet e bëra nga PS-ja, Patozi theksoi se “në këto kushte ne mirëpresim çdo koment dhe propozim të tyre për këtë paketë që ne kemi paraqitur”. “Unë mendoj që propozimet tona janë shumë racionale dhe thelbi tyre është mënjanimi i krizave të mundshme, dhe garantimi i stabilitetit politik. Në këtë frymë unë besoj se do të gjykojnë të gjitha partitë parlamentare”, vuri në dukje Patozi. Partia Demokratike së fundi ka ndërmarrë një nismë të rëndësishme, duke propozuar amendime të tjera që kanë të bëjnë me zgjedhjen e Presidentit, mandatin e kryeprokurorit dhe mocionin ndaj kryeministrit. Kësisoj, drafti i propozuar nga PD parashikon ndryshimin e nenit 87 të Kushtetutës lidhur me zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Sipas këtij ndryshimi, votimi në Kuvend për Kreun e shtetit të jetë me pesë raunde. “Në këtë votim, President zgjidhet kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, thuhet në propozimin e demokratëve. Ndërkohë, drafti me ndryshime propozon edhe një amendim të nenit 149 të kushtetutës, që lidhet me mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm. “Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit, për një mandat prej pesë vjetësh, me të drejtë riemërimi”, thuhet në amendim. Ndërsa propozimi tjetër i PD-së lidhet me një ndryshim në funksionimin e Këshillit të Ministrave, dhe konkretisht me nenin 104 dhe 105, që flet për procedurën e kërkesës së mocionit ndaj kryeministrit. Për mocionin ndaj kryeministrit, demokratët kërkojnë që të ndryshojë proçedura e kërkesës së mocionit dhe mocioni të kërkohet nga 1/5 e deputetëve. “Kështu 1/5 e deputetëve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit në detyrë, duke propozuar një kryeministër të ri”, thuhet në një nga amendimet kushtetuese të propozuar dje në komisionin parlamentar të ligjeve nga PD. Në këtë drejtim, Partia Demokratike ka bërë thirrje që këto propozime për ndryshimet në Kushtetutë duhet të miratohen sa më shpejt dhe në bllok.
Ndërsa nga ana tjetër, PS këmbëngul për debat të gjerë lidhur me këtë cështje. Sipas socialistëve, aktualisht reformat janë më të rëndësishme se ndryshimet në Kushtetutë. Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj ka kërkuar debat për ndryshimet në Kushtetutë dhe ka cilësuar se prioritet tani paraqitet puna mbi reformën zgjedhore. Duhet debat i gjërë për ndryshimet në Kushtetutë. Emergjente sot është miratimi për reformën zgjedhore për të cilën PS mirëpret edhe nismat e PD-se”, tha ai. Sipas tij, propozimet e sapo bëra për ndryshime në Kushtetutë, PD kushtëzoi mbështetjen ndaj reformës zgjedhore dhe asaj në drejtesi. Ndërsa nga ana tjetër, kanë dalë edhe kundërshtimet e para lidhur me propozimet e PD-së për ndryshimet Kushtetuese. Kryetari i LDK-së, Nikoll Lesi Lesi i cilësoi amorale dhe apolitike propozimet e demokratëve që në raundin e pestë zgjedhja e presidentit të bëhet edhe me shumicë të thjeshtë votash. Ai u shpreh kundër amendimeve kushtetuese të propozuar dje nga grupi parlamentar i PD për zgjedhjen e presidentit. Në fjalën e mbajtur në Kuvend, Lesi i cilesoi amorale dhe apolitike propozimet e demokratëve që në raundin e pestë zgjedhja e presidentit të bëhet edhe me shumicë të thjeshtë votash. Ndonëse sipas tij, presidenti duhet të zgjidhet nga populli ose me procedurën e ndjekur deritani, të përcaktuar në Kushtetutë. “Nëse bëhen realitet këto propozime të PD-së do t’i kërkoja presidentit Topit të japë dorëheqjen nga posti i presidentit dhe të futet ne rradhët e mazhorancës. Nëse ai pranon t’i kufizohen kompetencat kushtetuese, cfarë presidenti është? Cfarë autoriteti ka? Ai ose ccdo president tjetër”, tha Lesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›