E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama refuzon “Mukjen” e Metës, njofton ndarjen finale të koalicionit të majtë

Të mbledhur për të diskutuar qëndrimet përkatëse rreth reformës zgjedhore, tryeza e partive të vogla të opozitës është kthyer në arenë akuzash dhe kundërakuzash ndërmjet të vegjëlve majtistë. Mbledhja e kësaj tryeze, ide e hedhur dy ditë më parë nga kreu I PDS-së Paskal Milo, e cila u zhvillua dje, atë e bojkotuan Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate, në një takim që synonte kompromisin për një qëndrim të përbashkët për reformën zgjedhore, ndonëse u lanë të vetëm në tryezë LSI, PDS e PAD. Në këtë drejtim, të ndodhur të vetëm në këtë mbledhje të partive të vogla të opozitës, PAD, PDS dhe LSI, vërshuan reagimet e ashpra në drejtim të kreut të PS-së Rama dhe të PSD-së, Gjinushi. Në këtë aspekt, kreu i PDS-së Paskal Milo e cilësoi bojkotimin e binomit Rama-Gjinushi si një puç dhe grup shteti institucional. Ndërsa nga ana tjetër, Ceka e konsideroi si një tradhëti që i bëhet opozitës, duke lënë pas dore kundërvënien e pretenduar ndaj mazhorancës dhe qeverisë aktuale në pushtet. Sipas Cekës, reforma zgjedhore duhet të kryhet vetëm brenda komisionit të posaçëm parlamentar, ku përfaqësohen të gjitha forcat politike parlamentare. “Reforma zgjedhore të bëhet brenda caqeve ekzistuese kushtetuese, duke zhdukur efektin e ‘Dushkut’”, theksoi ai. Duke u ndalur më tej tek mospjesëmarrja e dy partive, PS dhe PSD në tryezë, Milo shtoi gjithashtu se “ne do të vazhdojmë të punojmë edhe pse mungojnë dy parti të tjera, do të punojmë dhe do të përpiqemi të arrijmë në një qëndrim të përbashkët, të cilin do ta mbrojmë deri në fund me të gjitha mjetet ligjore, institucionale”. Sipas tij, tryeza, u realizua për të afirmuar vullnetin politik të partive të vogla politike, duke shtuar se “do të vazhdojmë përpjekjet së bashku dhe me subjekte të tjera të së djathtës, të cilat kanë të njëjtin qëndrim me ne”. Milo e konsideroi propozimin e paraqitur nga PS për reformën zgjedhore si veprim të nxituar dhe të pakonsultuar me partitë aleatë të opozitës. Për aleatët e dikurshëm të PS kjo parti ka tradhëtuar të majten lidhur me reformën zgjedhore. Në mungesë të dialogut me Partinë Socialiste dhe të një tryeze të plotë të opozitës tre partitë kundërshtuese të sistemit proporcional rajonal deklarojnë se nuk do të lejojnë miratim në kuvend të asaj që sipas tyre është deformim i kushtetutës. Kjo tryeze e mbledhur në mënyrë formale për të zyrtarizuar një qëndrim tërësisht në unanimitet opozitar, shkoi ashtu siç edhe ishte paralajmëruar madje dhe parashikuar, që opozita po shkon drejt grisjes përfundimtare dhe shkak për të këtë vazhdon të mbetet nekropolitika e tipit Rama-Gjinushi, të cilët po keqpërdorin për qëllime të tyre personalo-politike, reformën zgjedhore dhe duke e zvarrituar atë në pafundësi duke shpresuar në një zgjidhje të momentit, me synimin që Gjinushi të sigurojë disa vota që mund të bëjnë të mundur qënien e tij “faktor” politik në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe më bindës, këtë fakt e bën dobësia dhe paaftësia gjithnjë e në rrijte e partisë së Gjinushit për të hyrë në radhën e rivalitetit të të vegjëlve politik, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009. Ndërkaq, Rama ka deklaruar dy ditë më parë se nuk është duke marra për bazë angazhimin e të vegjëlve opozitare, pasi me vete ka Gjinushin dhe në këtë kuadër, sipas tij Partia Socialiste do të jetë ajo që do të udhëheqë reformën zgjedhore, duke mos u tërhequr nga propozimet për ndryshimet kushtetuese, të cilat shkojnë drejt një sistemi proporcional rajonal me lisat të mbyllura. Në këtë kuadër, prej shumë kohësh brenda së majtës është thelluar përplasja lidhur me sistemin e ri zgjedhore. Aelatët e vegjël të majtë nuk kanë mirepritur nismën e selisë rozë për sistemin proporcional rajonal e ndërkohë që PS e ka ligjëruar nismën në kuvend, tre partitë e tjera po bëjnë thirrje për mosmiratim. Ndërsa, nga ana tjetër Partia Demokratike, si partita më e madhe në mazhorancë, i ka bërë thirrje vazhdimisht PS dhe partive të tjera të opozitës që të gjejnë konsensusin dhe të dalin me një qëndrim të përbashkët e të propozojnë një sistem dinjitoz dhe që shmang problemet me të cilat jemi ndeshur gjatë këtyre viteve të pluralizmit politik. Por me sa edhe duket, në opozitë po krijohet hendeku më i madh në historinë politike të tyre dhe një çarje tërësisht përfundimtare sapo është iniciuar, megjithëse nga ana e tij Rama duket i qetë pa marrë parasysh se prapa krahëve të tij mund të jetë duke u krijuar ndonjë mësymje kundër nekropolitikës së tij dhe që shumë shpejt mund ta shohë veten, vetëm në karrigen e Bashkisë dhe jo më në atë të politikës, e njëjta gjë vlen edhe për Gjinushin, ndonëse për të përbën alarimin pasi e çon përfundimisht në pension politik.
Meta: Edi Rama, shkaktar i mosmarrëveshjeve për reformën zgjedhore, nuk duhet të barazohet me PS/Në lumin e akuzave drejtuar Kreut të PS-së, Edi Rama, si shkaktari kryesor i amullisë së shkaktuar në çështjen e sistemit zgjedhor në vend, që rrjedh nga reforma në të, LSI i është vërsulur edhe gjatë ditës së djeshme, duke e konsideruar atë si strumbullarin e gjithçkaje, që nuk po funksionon aktualisht në aktivitetin politik për reformimin e sistemit zgjedhor. Në këtë drejtim, kreu i LSI-së Ilir Meta ka deklaruar dje se Edi Rama përvecse ka prishur marrëveshjet me partitë e vogla, tani po kacavirret të dëmtojë reformën zgjedhore dhe për të kthyer sipas interesave të tij këtë reformë në dëm të partive të vogla të opozitës. Meta, fajësoi në mënyrë të drejtpërdrejtë dje lidershipin e PS-së për çështjen e reformës zgjedhore, ndërsa konfirmoi vendosmërinë e palëkundur, më të fortë se asnjëherë tjetër të partisë që përfaqëson, për zgjedhje të ndershme e demokratike. “Edi Rama nuk duhet të barazohet me PS-në. Marrëveshja e partive opozitare ka muaj që nuk funksionon, që kur kryetari i PS mbajti qëndrim të kundërt nga ai që mbajtëm ne në një tryezë, ku u ra dakord që 4 partitë tona të firmosnim një marrëveshje me shumicën e partive të tjera, edhe të bllokut të djathtë, për çështjen e zgjedhjeve. Prej kohësh lidhja e shkurtër Rama-Berisha, që prej heqjes në mënyrë të padrejtë të kryeprokurorit Sollaku, e ka rreshtuar kreun e PS në një pozicion me z. Berisha jo vetëm për çështjen e reformës zgjedhore, por në përgjithësi për gjithë modelin e qeverisjes në vend”, tha Meta. Më tej, ai shprehu vendosmërinë e LSI-së për t’u distancuar nga lidershipi i dy partive ‘jo të mëdha’, siç i cilësoi ai. “Parti të mëdha apo të vogla i provojnë zgjedhjet, dhe në qoftë se do të ishin të mëdha nuk do të zgjidhnin një sistem të deformuar, një sistem që për ne është antikombëtar”, theksoi më tej kreu i LSI-së.
 Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›