E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Kornizë ligjore për Gjykatën Ekonomike

Në të kundërtën, sipas zyrtarëve të OSBE-së, mund të vihet në pikëpyetje roli i saj. Komentet u bënë gjatë publikimit të raportit mbi gjykatën ekonomike, i cili në mënyrë të përgjithësuar paraqet gjendjen dhe disa rekomandime mbi përgjegjësitë dhe rolin e saj. ipas raportit të OSBE-së, Gjykata Ekonomike ka dështuar në shumë aspekte, në radhë të parë në publikimin e aktgjykimeve, të cilat sipas këtij raporti shpeshherë nuk kanë përmbajtur arsyetim të mjaftueshëm. Madje zyrtarët e OSBE-së, thanë se në rast se nuk ndryshon korniza ligjore, vihet në pikëpyetje ekzistimi i saj, raporton Radio Televizioni i Kosovës.

Por, kryetari i Gjykatës Supreme, Rexhep Haxhimusa tha se Gjykata Ekonomike është e domosdoshme, ndërkaq gjendja aktuale është pasojë e mungesës së infrastrukturës ligjore. Ai theksoi nevojën urgjente të miratimit të Ligjit mbi gjykatat. Ndonëse po bëhen përpjekje për ristrukturim të gjyqësorit, ai vlerësoi se vetëm ligji i ri do të definojë qartë kompetencat e gjykatave në Kosovë.

Ndërsa Kristofer Deker, nga Departamenti i të drejtave të njeriut në OSBE, tha se shumë çështje të shtjelluara në raport kanë të bëjnë legjislaturën që nevojitet për funksionimin e gjyqësorit.

“Zbatimi i rregullave të qarta nga gjykata të pavarura dhe profesionale, luajnë rol të rëndësishëm tek bizneset dhe do të mundësojnë që Kosova të bëhet një destinim për biznesin. Kosova ka një rritje ekonomike dhe kjo duhet të zhvillohet bashkë me trendët dhe tranzicionin nga socializmi në një ekonomi të lirë të tregut”, ka theksuar Kristofer Deker.

Raporti rekomandon rishikimin e kornizës ligjore, përshkrimin e qartë të kompetencave përmes ligjit përkatës, rregullat për zgjidhjen e kontesteve të kompetencës etj.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›