OSBE: Në Europë ka shkelje flagrante të lirisë së mediave
Liria e shtypit është në rrezik në shumë vende të Europës. Ky është paralajmërimi që ka bërë Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë, duke nënvizuar se kjo situatë është shoqëruar me një sërë incidentesh të ndodhura në vendet anëtare të saj, si Francë, Itali dhe Greqi.
Në raportin e saj të fundit, OSBE, që ka në anëtarësinë e saj 56 vende, thotë se “shqetësimet për lirinë e medias vihen re në shumë shtete të organizatës, vetëm se manifestohen në mënyrë të ndryshme”. Raporti që publikohet çdo vit thotë se “liria e shprehjes vihet në dyshim dhe sfidohet nga shumë faktorë e organizma dhe se këto kërcënime shprehen përmes metodave tradicionale të ndalimit, siç janë mbyllja e gojës së atyre që duan të thonë të vërtetën përmes mënyrave të ndryshme, edhe të dhunshme, e deri te metoda më të sofistikuara, si ndalimi i teknologjive të reja dhe internetit, që shërbejnë për të përhapur lajmet. “Thyerjet në ligjin e lirisë së medias variojnë që nga hartimi i ligjeve mbi mbikëqyrjen elektronike në Itali, që mund të quhet një “goditje” për gazetarinë investigative, e deri te një projektligj në Estoni, që ka të bëjë me pakësimin e të drejtave të mbrojtjes së mungesës së identifikimit të burimeve të ndryshme të lajmit, që përdoret shumë shpesh në gazetari. Një tjetër fakt është edhe të qenit e Sarkozisë në krye të televizionit publik francez, që e bën këtë organ mediatik tërësisht të varur dhe aspak të lirë ndaj ndikimeve të politikës dhe kryesisht të Presidentit. “Një fakt i tillë përbën një shkelje dhe një pengesë për pavarësinë e medias”, bëhet e ditur në raport. Zona të tjera problematike në këtë pikë, pra për sa i përket lirisë së medias, përfshijnë adoptimin që ka bërë së fundmi Parlamenti hungarez për disa pjesë të një pakete për median që përmbante elementë kërcënues për lirinë dhe pavarësinë e saj, apo edhe kërcënime ndaj një radiojeje të minoritetit turk në Greqi. Ndërkaq, organizata shprehu kënaqësinë e saj për një ligj të mundshëm që mund të miratohet në Gjemani në lidhje me mbrojtjen më të madhe të gazetarëve investigativë. Në raport dënohen dhe raste të tjera, si sulmi ndaj gazetarit serb, i njohur për qëndrimet e tij anti-nacionaliste, akuzat e ngritura ndaj gazetarëve investigativë në Turqi e të tjerë. Sipas raportit, autoritetet duhet ende të kuptojnë se media nuk është pronë e tyre private dhe se gazetarët kanë të drejtë që të hetojnë mbi ata që populli i ka zgjedhur me votë të lirë.