E Diel, 1 Nëntor 2026

Klos, fshati mbetet pa ujë

Ndërhyrjet e paligjshme në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve

Ndërhyrjet e paligjshme të banorëve në linjën e ujësjellësit, lënë fshatin pa ujë të pijshëm në këto ditë të nxehta vere. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Benë të Komunës së Klosit në Rrethin e Matit. Prej tri ditësh, rreth 300 banorë të këtij fshati nuk kanë ku të shuajnë etjen për ujë. Shkaku i mungesës së ujit është bërë ndërhyrja e banorëve në linjën e ujësjellësit për të marrë ujë për vaditjen e tokave, të cilat u kanë mbetur në të thatë, pasi kanali i Klosit nuk funksionon normalisht. Ujësjellësi i këtij fshati është përuruar vetëm para dy viteve, madje në festën e këtij përurimi ka marrë pjesë edhe vetë Kryeministri Sali Berisha. Ndërhyrjet e fshatarëve në linjat e ujësjellësit për të marrë ujë për vaditjen e tokave jo vetëm në këtë fshat, por edhe në fshatra të tjerë, këto ditë të nxehta vere janë bërë problematike në mjaft zona të të gjithë Qarkut të Dibrës. Të gjitha këto ndërhyrje të paligjshme shkaktohen pasi kanalet vaditëse nuk funksionojnë si duhet. Prej dy vitesh kanalet vaditëse të tokave menaxhohen jo mirë, për të mos thënë fare, nga bordi i kullimit të tokave me qendër në qytetin e Burrelit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›