Qeveria në krizë, Fini refuzon të dorëhiqet
Partia e Kryeministrit italian, Berluskoni, e ka akuzuar bashkëthemeluesin e saj, Fini, për “krijimin e një partie brenda partisë”, ndërsa qeveria italiane ndodhet në prag të një krize të re. Në një dokument të aprovuar në orët e vona të së enjtes nga partia e Berluskonit, Populli i Lirisë, thuhet se Fini është duke krijuar një opozitë “të palejueshme” brenda radhëve të partisë. Kontradikta me Finin, që është bashkëthemelues i partisë në pushtet, ka të bëjë me një sërë rastesh dhe akuzash për korrupsion dhe skandale seksuale. Kundërshtitë e kanë zhytur në krizë qeverinë italiane, duke nxitur spekulimet se ndoshta ajo nuk do t’ia dalë dot mbijetesës deri në fund të mandatit. Edhe mbështetja që gëzon Berluskoni në popull është në rënie të lirë, sidomos pas aprovimit nga ana e tij e paketës së masave shtrënguese të shpenzimeve të buxhetit, për shkak të deficitit buxhetor, si dhe tentativës së tij për të reduktuar përgjimet nga ana e policisë. Por është pikërisht kjo luftë brenda llojit me aleatin Fini, që është aktualisht Kryetar i Parlamentit, ajo që mund ta çojë qeverinë italiane në kolaps, duke qenë se ky i fundit ka mbështetjen e thuajse 50 parlamentarëve. Berluskoni ka këmbëngulur që qeveria nuk është aspak në rrezik dhe se ai vazhdon që të ketë mbështetjen e shumicës së italianëve. Muajt e fundit Fini e ka inatosur Kryeministrin, duke i bërë thirrje për më shumë “moral” në qeverisjen e vendit, ka kritikuar ligjet e përgjimit dhe e ka cilësuar stilin qeverisës të Berluskonit si stil diktatorial. Pas muajsh të rritjes së zënkave dhe shtim të situatës kontradiktore mes dy personave më të rëndësishëm të koalicionit qeveritar, Kryeministri ka refuzuar ofertën e një paqeje nga Fini, një ish-fashist që drejton një bllok me shumë influencë politike brenda qeverisë 2-vjeçare. Në një intervistë për median, Fini u shpreh se ishte i gatshëm që të linte mënjanë zënkat me Kryeministrin dhe të punonin së bashku për të mirën e vendit. “Le të rifillojmë gjithçka pa pishmane. Berluskoni dhe unë nuk kemi si detyrë për të qenë miq, por ne duhet që të respektojmë një zotim elektoral dhe politik para popullit italian”, ka deklaruar Fini. Por për Berluskonin “ishte tepër vonë” për afrim. Ndërkaq, të enjten, në orët e vona, deputetë rebelë kanë njoftuar se ata kanë nënshkruar një letër dorëheqjeje nga Partia e Popullit të Lirisë. Berluskoni i ka kërkuar partnerit të tij në politikë që të largohet nga posti i Kryetarit të Parlamentit, por Fini i është përgjigjur se posti që ai mban nuk është një dhuratë që e ka marrë nga Kryeministri dhe se nuk ka ndërmend të largohet. Ndoshta ndjekësit e Finit mund të krijojnë në këto kushte një grup tjetër parlamentar në Parlament.
#