OSBE-ODIHR: Zgjedhjet, me standarde jo të larta
TIRANË - Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit nuk realizuan plotësisht standardet më të larta për zgjedhje demokratike. Ky është përfundimi i raportit përfundimtar për zgjedhjet nga OSBE-ODIHR-i, i publikuar vetëm dje, pas tre muajsh nga përfundimi i procesit zgjedhor.
Në një raport prej 36 faqesh, OSBE-ODIHR-i përfshin gjithë procesin zgjedhor, ku evidentohet mbi të gjitha fakti se drejtimi i zgjedhjeve demokratike në vend varet kryesisht edhe nga angazhimi i të gjitha partive politike shqiptare për të respektuar ligjin, si dhe kryerjen e detyrave të tyre zgjedhore me përgjegjësi për të ruajtur integritetin e procesit.
Sipas raportit, zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit shënuan progres në lidhje me regjistrimin e votuesve, procesin e identifikimit, kuadrin ligjor, të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore, të votimit, numërimit dhe gjykimin e kontestimeve.
Por, OSBE-ODIHR-i vëren se këto përmirësime substanciale u zbehën nga politizimi i aspekteve teknike të procesit, si dhe nga shkeljet e vëna re gjatë fushatës zgjedhore, duke përfshirë procesin e numërimit të votave, i cili në disa zona u bllokua përkohësisht.
"Këto veprime të partive politike e kanë minuar besimin e publikut në procesin zgjedhor",- thuhet në raportin përfundimtar të zgjedhjeve. OSBE-ODIHR rekomandon që partitë politike duhet të tregojnë vullnetin politik për mbarëvajtjen e zgjedhjeve demokratike. Raporti evidenton gjithashtu faktin se zgjedhjet u zhvilluan sipas një Kodi të ri Zgjedhor.
Kodi i ri jep disa rekomandime më vete, që janë ofruar më parë nga OSBE/ODIHR-i, që, sipas raportit, sollën përmirësime të rëndësishme, siç ishte sistemi i ri zgjedhor, kompjuterizimi i regjistrit të popullsisë.
"Në përgjithësi, korniza ligjore ofron një themel të plotë teknik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Megjithatë, një numër i dispozitave duhet të rishikohet me qëllim që të sjellë kuadrin ligjor në përputhje të plotë me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare",- thuhet në raport.
Kartat
Procesi i kartave të identifikimit ishte nga çështjet më të debatueshme të procesit, ku risillet shqetësimi i partive opozitare të cilat hodhën dyshime për manipulime.
Raporti vë re se këtu u konstatuan dhe mosmarrëveshjet më të mëdha politike, ku qeveria nuk arriti të japë numrin e saktë të personave pa pasaportë që arritën të pajiseshin me karta identifikimi.
Raporti konstaton gjithashtu me shqetësim se zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis mjaft të polarizuar, pavarësisht incidenteve të pakta."Të gjitha partitë që konkurruan në këto zgjedhje, ishin në gjendje të bënin fushatë në të gjithë vendin. Në disa raste, fushata u dëmtua nga përdorimi i një gjuhe tepër të ashpër",- thuhet në raport.
Vëzhguesit kanë pranuar edhe mjaft deklarata, ku disa prej tyre edhe janë vërtetuar për presion ndaj administratës publike, me qëllim pjesëmarrjen në aktivitetet zgjedhore të PD-së. "Veçanërisht u prekën punonjësit e sektorit publik dhe studentët e universitetit",- thuhet ne raport.
Gjithashtu, sipas OSBE-ODIHR-it qeveria ka përdorur inaugurimet e projekteve të infrastrukturës, për qëllime fushate. E njëjta situatë vërehet edhe për kryetarin e PS-së, Edi Rama, por për këtë të fundit, shumë më pak.
Raporti verën gjithashtu se zëvendësimet që u bënë nga partitë politike qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ndikuan negativisht në punën e mjaft komisioneve zgjedhore zonale. I njëjti problem u vu re edhe tek komisionet e qendrave të votimit, ku disa qendra votimi u hapën me vonesë për shkak të zëvendësimit të anëtarëve në minutën e fundit
Dita e zgjedhjeve
Dita e zgjedhjeve të përgjithshme ishte e qetë dhe paqësore, sipas raportit të OSBE-ODIHR-it. Vëzhguesit e vlerësuan pozitivisht votimin në 92 për qind të qendrave të votimit të vizituara, por u vunë në dukje një numër i caktuar i shkeljeve procedurale.
Problem i evidentuar ende nga vëzhguesit është votimi i gjerë familjar, raste të votimit të autorizuar, si edhe përpjekje për të ndikuar dhe ushtruar presion mbi votuesit.
Numërimi i votave është vlerësuar si i keq ose shumë i keq në 22 nga 66 qendra e numërimit të fletëve të votimit. Me vazhdimin e numërimit, thotë raporti, partitë politike filluan të ndërhyjnë më aktivisht, sidomos aty ku rezultatet dukej se ishin të përafërta.
Në një numër qendrash numërimi, thotë raporti i ODIHR-it, kutitë nuk u numëruan ose rezultatet nuk u përfshinë në tabelën agregate. Sistemi i ri elektronik i monitorimit, sipas raportit, duket se ka arritur vetëm pjesërisht qëllimin në rritjen e besimit, si dhe në procesin e transparencës.