E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramsh, hiqen nga puna 107 mësues

PS lokale: Të larguarit nga puna janë simpatizantë të PS-së. Ata që janë ngritur në detyrë janë parë në mitingjet e PD-së


Mësuesve nga Gramshi u është komunikuar largimi nga puna vetëm ditën e parë të shkollës


GRAMSH- Dita e parë e shkollës nuk ka qenë e lumtur për 107 mësues në rrethin e Gramshit. Ata janë përballur me largimin nga puna në momentin kur do të duhet të niseshin me autobusë drejt shkollave ku punonin. Drejtorët e shkollave me një listë në dorë kanë njoftuar kush vazhdon dhe kush nuk mund të jetë më në arsim por del në dispozicion.


Shumë prej të larguarve kanë një eksperience pune prej me shume se 30 vjet. Sipas njoftimit që u është komunikuar mësuesve, shkak i daljes në dispozicion është reforma e ndërmarrë nga Drejtoria Arsimore e Gramshit dhe mësuesit e larguar janë kryesisht me arsim të mesëm pedagogjik.


Drejtori i Zyrës Arsimore si dhe nënprefekti Gramsh kanë qenë të paarritshëm për një përgjigje mbi këtë reformë të papritur të ndërmarrë. Mësuesit e larguar nga puna janë kryesisht anëtarë ose simpatizantë të PS, ndërkohë që shumë mësues të tjerë me të njëjtin arsim dhe stazh pune, por që janë parë në mitingjet e PD janë ngritur në detyrë duke u bërë drejtues shkollash. Reformës nuk i kanë shpëtuar edhe mësues me arsim të lartë.


Partia Socialiste e qytetit të Gramshit i cilësoi dje largimet nga puna me prapaskena politike. Sipas tyre, kjo është hakmarrja e qeverisjes së Partisë Demokratike pas disfatës që kjo forcë politike pësoi në Gramsh.


Gjithsesi mësuesit e dalë në dispozicion tashmë janë zëvendësuar nga mësues të tjerë. Gramshi konsiderohet rrethi me zona të thella dhe me shumë vështirësi për mbërritjen e arsimtarëve në këto zona.


Në ditën e parë të shkollës mësimi nuk ka filluar ne shkollat 9-vjeçare "Rilindja" dhe "4 Dëshmoret" Drizë për shkak të rikonstruksionit të tyre, i cili ka filluar me vonese dhe mendohet të mbarojë nga gjysma e muajit tetor.


Për këtë arsye nxënësit e qytetit do ta bëjnë shkollën pasdite duke u sistemuar në shkolla të tjera, ndërsa nxënësit e shkollës Drizë do të shkojnë në fshatin Gjergjovinë, disa kilometra larg.


Ndërkohë në Elbasan janë shkurtuar 68 mësues, kryesisht për shkak të uljes së numrit të nxënësve. Simbolika e këtij fillim viti ka qenë kopshti i parë për fëmijët romë i ndërtuar me ndihmën e Rajonit të Emiglia Romagnia në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan. Kreu i bashkisë, Qazim Sejdini gjatë përurimit të këtij kopshti ka uruar të gjithë nxënësit për një vit të mbarë.


Rreth 65 fëmijë të komunitetit rom do të marrin dijet e para në këtë ambient me parametra bashkëkohorë. Në ditën e parë të shkollës kanë startuar klasën e parë rreth 2500 nxënës ndërsa në kopsht rreth 1102 fëmijë në të gjithë qarkun.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›