E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE Procesi i pergatitjes se zgjedhjeve ne Shqiperi ka shenuar progres

Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Vollfarth, theksoi sot në Vlorë se procesi i përgatitjes së zgjedhjeve vendore në Shqipëri ka shënuar progres.

Në një prononcim për shtypin, pas takimeve me përfaqësues të qeverisjes vendore, ai nënvizoi se "pati takime me përfaqësues të shtetit dhe qeverisjes vendore në Vlorë dhe përshtypja që i la takimi, është se situata në Vlorë duket paqësore dhe më duket se do të jetë me prosperitet zhvillimi i mëtejshëm".

Sipas tij, Shqipëria po u afrohet zgjedhjeve lokale, të gjithë e dimë se po bëhen përgatitjet teknike dhe duket se ka progres në këtë proces.
Në lidhje me incidentet e ndodhura, ambasadori i OSBE-së shprehu mendimin se ato nuk duhet të ndodhin dhe njerëzit duhet të sillen në mënyrë të qytetëruar.

"Por këto duket se kanë qenë më tepër raste sporadike", shtoi ai.

Konkretisht, ambasadori i Prezencës së OSBE në Tiranë, zhvilloi sot takime me përfaqësues të qeverisjes vendore, në kuadër të periudhës parazgjedhore.

Në takimin e zhvilluar në mjediset e Prefekturës, bashkëbisedimi u përqendrua në situatën zgjedhore, ndërkohë që u nënvizua atmosfera e qetë që mbizotëron në Vlorë.

Prefekti Eduart Veçani theksoi se listat zgjedhore janë më të mirat e hartuara ndonjëherë dhe ndër më të mirat në shkallë vendi. Ai vuri në dukje se fakti që subjektet politike nuk kanë ankesa për to, përbën një argument për cilësinë dhe saktësinë e tyre.

Për prefektin Veçani, tensioni i situatës zgjedhore, është më tepër i pranishëm tek politikanët, por jo tek njerëzit e thjeshtë, tek qytetarët, të cilët janë të orientuar dhe të interesuar për zhvillimin e qytetit.

Ai theksoi gjithashtu se me bashkinë e Vlorës dhe njësitë e tjera të qeverisjes vendore, që drejtohen nga përfaqësues të të dy kampeve politike, ka marrëdhënie mjaft të mira institucionale.

Nga ana e tij, ambasadori i Prezencës së OSBE në Tiranë, Eugen Volfarth, evidentoi se prezenca e Zyrës në Vlorë është një provë e mbështetjes që jep OSBE për këtë qytet, një ndër më të rëndësishmit në shkallë vendi. Ai shprehu kënaqësinë që situata në Vlorë është mjaft e qetë, ndërkohë që shtoi se kështu zgjedhësit dhe kandidatët do të fokusohen tek argumentet, tek alternativat dhe programet respektive.

Ai u interesua edhe për problemet e sigurisë në qytet, duke e lidhur këtë me faktin se Vlora është një vend bregdetar ku mund të zënë vend trafiqet e paligjshme, qoftë ai i qenieve njerëzore, por edhe i substancave të ndaluara me ligj.
Nga ana e tij, prefekti Veçani saktësoi se ka një rënie drastike të kultivimit të bimëve narkotike krahasuar me 2009-ën, ndërkohë që rastet e trafikimit tashmë numërohen me gishta

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›