E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Shqipëria të nisë dialogun politik

Kryetari i Radhës së OSBE-së, Ministri i Jashtëm lituanez Audronius Azubalis, i bëri thirrje sot qeverisë shqiptare dhe opozitës që të rinisin dialogun dhe t`i japin fund ngërçit politik në vend.

"Polemika e vazhduar rreth procesit të ankimit pas zgjedhjeve vendore të 8 Majit ka theksuar nevojën për reforma të mëtejshme zgjedhore, por ajo ka treguar mbi të gjitha nevojën urgjente që dy partitë më të mëdha politike të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme", u shpreh Azubalis.

Ai tha se OSBE është në pritje të vlerësimit përfundimtar nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), e cila mund të mbështesë këtë proces. Por sipas tij, nuk mund të ketë asnjë vonesë në vendosjen e dialogut politik.

“Ky hap i parë është i domosdoshëm për funksionimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë, dhe më në mënyrë të veçantë Parlamentit. OSBE-ja, përfshirë edhe Prezencën e saj në Shqipëri, dhe ODIHR-i mbeten të gatshme që të mbështesin qeverinë dhe partitë politike që të bien dakord, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe në mënyrë transparente, për një axhendë më të gjerë të reformave, përfshirë edhe reformat zgjedhore”, nënvizoi kreu i OSBE-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›