Berisha: Shtyrja e regjistrimit nga fushata zgjedhore
“Regjistrimi i popullatës bëhet në një realitet të ri, shtyrja e censusit në vjeshtë ka qenë fushata elektorale”. Kështu është shprehur kryeminstri Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë ku ka foluar për regjistrimin e popullsisë, duke e konsideruar këtë një akt madhor.
“Lidhja pse u shty censusi ka qenë fushata zgjedhore, zgjedhjet lokale, sepse qeveritë vendore kanë përgjegjësinë kryesore në këtë akt madhor”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se ky regjistrim ka rëndësi në krahasim me regjistrimet e bëra më parë, sepse për herë të parë qytetarët regjistrohen si qytetarë të një Shqipërie tjetër. Kryeministri ka udhëzuar Ministrinë e Brendshme që të nis punën në qarqet e vendit dhe të krijohen komisionet për regjistrimin e popullsisë.
“Kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk mund të ndikohet dhe nuk do të ndikohet kurrë në formularin bazë, që ka të bëjë me identitetin, besimin dhe qenien e këtyre qytetarëve. Hoqëm një nen absurd për regjistrimin, shqiptarët do të regjistrohen si qytetarë të lirë, ai që e konsideron fenë, etninë personale të mos e shënojë”, nënvizoi ndër të tjera kryeministri.