E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu: Distancohemi nga akuzat drejt Kolegjit Zgjedhor

Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu ka dënuar akuzat publike ndaj anëtarëve të Kolegjit, duke u kërkuar palëve të mos përçojnë konflikt në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. “Me shqetësim të thellë kemi ndjekur debatin, i cili fatkeqësisht pas disa muajsh tenton të transferohet dhe të ngecin topin e konfliktit politik këtu në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Kjo nuk mund të ndodhë. Kjo nuk mund të ndodhë, sepse zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë nuk administrohen nga gjykatat, nuk administrohen nga drejtësia. Zgjedhjet administrohen nga faktori politik, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili prej tre vjetësh nuk është më institucion kushtetues, në të cilin merrte pjesë edhe KLD për emërimin e dy anëtarëve të KQZ-së. KQZ është një institucion tërësisht politik me konsensusin e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Në nenin 149 të Kodit Zgjedhor KLD-së i është ndaluar dhe hequr çdo kompetencë për të inspektuar, kontrolluar, proceduar, shkarkuar, transferuar ose të përfshijë në sistemin e vlerësimit gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor gjatë mandatit të tyre. KLD ka diskutuar gjatë dhe në konsensus ka vendosur të distancohet nga çdo lloj akuze që adresohet tek Kolegji Zgjedhor ose te gjyqtarë të veçantë, akuzë e cila nuk është e mbështetur në fakte dhe në prova. Çdo individ apo forcë politike, nëse ka fakte konkrete për gjyqtarët t’i adresojë në prokurori, sepse KLD ka kompetencë procedimet disiplinore dhe sigurisht jo për anëtarët e Kolegjit Zgjedhor”, - tha Spahiu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›