E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: Partitë duhet të angazhohen për reformën zgjedhore

Zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, reagoi dje pas takimit të Stabilizim Associmit BE-Shqipëri në Bruksel. Haxhinasto komentoi edhe deklaratën e përbashkët mes Fules dhe Ashton, duke theksuar se ka ardhur koha për të përgatitur një paketë amendimesh për reformën zgjedhore.

Z. Ministër e dëgjuam nga komisioneri Fyle të thoshte që procesi zgjedhor është një kapitull i mbyllur. A jeni në sintoni të plotë me BE në këtë drejtim?

Jemi në sintoni të plotë, edhe BE e quan procesin zgjedhor krejtësisht të mbyllur, por me një lidhje me të ardhmen, që ato diskutime që pati procesi aktual të adresohen në të ardhmen me një angazhim të përbashkët të të gjitha forcave politike, në një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, i cili jo vetëm të adresojë këto probleme që unë përmenda, por dhe ato që janë vënë re në rekomandimet e mëparshme të OSBE- ODHIR. Është e domosdoshme për këtë që të gjitha forcat politike në Shqipëri të angazhohen, të kontribuojnë, më qellim që amendimet përkatëse, ligji përkatës, Kodi i ri Zgjedhor të jetë i standardeve më të larta të njohura ndërkombëtarisht dhe të jetë me certifikimin e plotë të OSBE-ODHIR dhe Komisionit të Venecias.

Pati një apel të qartë dhe për pjesëmarrjen e opozitës në parlament, në institucionet demokratike. A është e qartë mjaftueshëm kjo për pjesën tjetër. A mendoni se në shtator do mbarojë kjo bllokadë?

Mendoj se BE ka qenë vazhdimisht e qartë në sjelljet që i ka dërguar opozitës për t’u angazhuar brenda institucioneve, për t’u angazhuar në proceset politike institucionale, jo vetëm për të adresuar çështjet e zgjedhjeve, por mbi të gjitha për të adresuar 12 prioritetet që janë themelore dhe përcaktuese në avancimin e axhendës europiane të Shqipërisë. Pra përgjegjësia e opozitës është padiskutim shumë e madhe. Kjo është thënë nga BE në të kaluarën. Është thënë dhe sot me qartësinë më të madhe, që çdo veprim i ardhshëm, çdo reformë e ardhshme, domosdoshmërisht kërkon dhe angazhimin e saj institucional.

Mendoj se progresi i gjithanshëm i Shqipërisë në të gjitha fushat, në fushën e ekonomisë, në fushën e respektimit dhe përafrimit të 'aqui', në fushat e tjera të marrëdhënies që ka me Bashkimin Europian, në fushën e lëvizjes së lirë që është një shembull nga më shkëlqyerit, ka qenë i tillë që premton për një opinion shumë më pozitiv se një vit më parë, sigurisht nëqoftëse- ka një nëqoftëse të madhe - dhe ky është angazhimi i opozitës për t’u bërë pjesë e këtij procesi, për t’u bërë pjesë e një angazhimi kombëtar për axhendën e integrimit të vendit...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›