OSBE: Të nisë dialogu, por pa parakushte

Një delegacion i gjerë i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, ka sjellë dje në Tiranë mesazhin për vijën e kuqe që komuniteti ndërkombëtar i ka vënë klasës politike. Institucioni që certifikon standardet e demokracisë në Shqipëri ka kërkuar që partitë politike të nisin menjëherë dialogun për reformën zgjedhore dhe çështje të tjera politike, por pa asnjë parakusht
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuar nga Roberto Battelli, Përfaqësues i Posaçëm i Asamblesë për Evropën Juglindore. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për kontributin e OSBE-së, Prezencës së saj në Tiranë, Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe ODIHR, si në procesin e reformës zgjedhore, ashtu edhe në monitorimin shumë profesional të zgjedhjeve në Shqipëri.
Anëtarët e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së e falënderuan Kryeministrin për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe e siguruan atë se Asambleja Parlamentare e OSBE dhe kjo organizatë do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtësisht me Shqipërinë në të gjitha aspektet e reformës zgjedhore dhe më gjerë. Asambleja Parlamentare e OSBE-së vlerëson se gjatë viteve të fundit Shqipëria ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm për sa i përket procedurave zgjedhore, sistemit zgjedhor, i cili është tashmë shumë afër një ndër sistemeve më transparent, u shpreh Battelli.
Në këtë kontekst, ai vlerësoi suksesin e madh që u shënua në këtë drejtim me pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit, si dhe sistemin elektronik të Regjistrit të Gjendjes Civile, i cili heq çdo lloj dyshimi mbi identitetin e shtetasve, gjë që e bën procesin zgjedhor jashtëzakonisht efiçent. Kjo u rikonfirmua qartësisht edhe nga raporti OSBE/ODIHR për zgjedhjet vendore 2011, i cili konkludoi se zgjedhjet vendore në Shqipëri ishin tërësisht transparente dhe kompetitive, çka dëshmon për përparimin e jashtëzakonshëm që vendi ka bërë gjatë kësaj periudhe.
Në takim u theksua rëndësia e adresimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR si jashtëzakonisht e rëndësishme për një efiçencë edhe më të lartë të sistemit ligjor dhe institucional zgjedhor në Shqipëri, i cili tashmë është provuar përmes dy proceseve zgjedhore të njëpasnjëshme, si një kuadër shumë i mirë, i standardeve më të larta demokratike.
Kryeministri Berisha e siguroi Delegacionin për vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për t’i krijuar opozitës të gjitha hapësirat e nevojshme, në kuadër të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe brenda kuadrit kushtetues të Republikës së Shqipërisë, për një reformë zgjedhore tërësisht transparente dhe konsensuale. Më tej, kryeministri Berisha i njohu anëtarët e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së me reformat e ndërmarra në fusha të tjera si; infrastrukturat e rëndësishme, në fushën e arsimit, shëndetit publik, komunikimeve elektronike, zhvillimit ekonomik me ritme të shpejta, etj.
Përfaqësues i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Evropën Juglindore, Battelli, vlerësoi se ecuria pozitive e ekonomisë shqiptare dëshmon qartësisht për politikat e drejta të ndjekura nga qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe dhe është një faktor i rëndësishëm në promovimin e imazhit të Shqipërisë, si një vend që po punon seriozisht për projektin madhor të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në të gjitha këto përpjekje, Shqipëria do të vazhdojë të ketë mbështetjen e OSBE-së, Asamblesë Parlamentare të saj dhe organizatave të lidhura me të, theksoi Battelli.
Kryeministri Berisha falënderoi edhe njëherë Delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për mbështetjen e kësaj organizate dhe i siguroi ata se qeveria shqiptare është e vendosur të vazhdojë këtë bashkëpunim të ngushtë dhe shumë të frytshëm me OSBE-në, edhe në të ardhmen.