Agjenda e Ramës s’po e mbledh dot opozitën - Milo dhe Dule bojkotojnë edhe “tryezat-karrota”

Dy partitë më përfaqësuese të opozitës refuzojnë të luajnë rolin e figurantit, kur duket se PS s’do i ndihmojë në aspiratën për ndryshimin e Kodit Zgjedhor e as në përfaqësimin e panelit para publikut
Edi Rama ka shndërruar në takime argëtimi “tryezën e aleatëve të majtë”, teksa në harkun kohor të 3 javëve ka thërritur plot 4 herë mbledhjen e partive politike rreth PS-së, pa një objektiv të qartë.
Alarmin për fodullëkun e Ramës me aleatët dhe përdorimin e tyre për interesa të ngushta politike të kryesocialistit, e dha i pari Paskal Milo, i cili tha se s’mund të marrë pjesë në tryeza ku veç gatitjes së verës dhe birrës, nuk shpaloset asnjë projekt-ide për aksionin politik të opozitës në kuadër të nismave ligjore dhe reformatore siç është reforma zgjedhore, plotësimi i 12 rekomandimeve të Brukselit, zgjedhja e presidentit dhe krerëve të disa institucioneve të tjera Kushtetuese etj,.
Dëshpërimin e tij, Milo e shprehu përmes bojkotimit të dy takimeve të radhës. Përkundrejt axhendës bllokuese të Edi Ramës, Paskal Milo, kryetar i Partisë Demokracia Sociale, është shprehur më parë se s’mund të bëhet palë me fraksionin dashakeq të opozitës së Edi Ramës, i cili veç bllokimit të reformave në Kuvend synon edhe të përdorë në rrogozin e mbrapshtësisë së tij politike një pjesë të mirë të politikanëve të së majtës. Dhe nga kjo s’del askush i fituar përveç kreut të PS, Rama.
Të njëjtën lëvizje diktoi edhe kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule, i cili bojkotoi takimin e djeshëm të Ramës me përfaqësuesit e partive të tjera. Duke mos parë rrugëzgjidhje tjetër në aleancën me Edi Ramën, z.Dule po studion çdo terren për ndërprerjen e marrëveshjes politike me Partinë Socialiste. Skenari i takimeve u përsërit dje në mesditë kur zyra e shtypit e Partisë Socialiste njoftoi për takimin e Ramës me Aleatët.
Por, brenda pak minutash Rama dhe aleatët lanë ambientet e bar-kafes dhe secili prej pjesëmarrësve në takim si Nard Ndoka, Spartak Ngjela dhe Skënder Gjinushi. Edhe rikthimi i këtij të fundit, pas mungesës në dy takimet e para, nuk riktheu humorin dhe entuziazmin brenda “Opozitës së Bashkuar” dhe domosdo as nuk kulmoi me arritjen e një pakete bashkëpunimi për nismat e ardhshme.
Shterpësinë e takimit të djeshëm e “konfirmon” edhe zëdhënësi i “Opozitës së Bashkuar”, Preç Zogaj, i cili ndryshe nga herët e kaluara, nuk dha asnjë shpjegim rreth takimit në fjalë.
Madje, as nuk u arsyetua mungesa e Paskal Milos dhe Vangjel Dules. Pra, gjithçka është aluduar në funksion të kotësisë dhe se takimet e radhës pritet të shërbejnë thjesht e vetëm për thellimin e deficitarizmit opozitar.
Ndonëse priten edhe takime të ardhshme, përsëri kriza e opozitës nuk riparohet në ambientet luksoze të bar-kafeve të Hotel Tiranës apo Kullave Binjake.