E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Të shqetësuar për gjobën ndaj Top Channel

Publikohet raporti vjetor për lirinë e medias. Përfaqësuesja e OSBE, Mijatovic, reagon për çështjen “Pango”

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë ka publikuar dje raportin vjetor mbi lirinë e medias në shtetet e saj anëtare. Dunja Mijatovic, përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias, ka prezantuar dje në Qendrën e Kongreseve në Vjenë raportin vjetor, ku shprehet shqetësimi për lirinë e medias në Shqipëri. Dje në mesditë, në kapitullin e raportit për Shqipërinë, Dunja Mijatovic përmend shqetësimin lidhur me rastin “Pango” dhe dënimin me gjobë 400.000 euro ndaj televizionit “Top Channel”. Mijatovic bën me dije se ky shqetësim i është përcjellë nëpërmjet një letre edhe autoriteteve shqiptare. Në raport thuhet gjithashtu se OSBE ofron ndihmën për reformën e kuadrit ligjor të medias në Shqipëri.

Rasti “Pango”

“Më 28 qershor, u kam drejtuar autoriteteve shqiptare një letër për të ashtuquajturën çështjen ‘Pango’. Në letrën drejtuar Ilir Metës, ministër i Punëve të Jashtme dhe Bujar Nishanit, ministër i Drejtësisë, kam shprehur shqetësimin në lidhje me vendimin e Gjykatës së Rrethit të Tiranës për të detyruar ‘Top Channel’ të paguajë 400,000 euro për dëmet morale të ish-ministrit të Turizmit, Ylli Pango”, thuhet në raportin e përgatitur nga përfaqësuesja e OSBE për lirinë e medias. Shfaqja e videos më 4 mars 2009 ka treguar pamjet të cilat tregojnë ministrin duke kërkuar favore, në këmbim për një punë në ministrinë e tij. Kjo çoi në shkarkimin e Pangos nga detyra. “I kujtoi autoriteteve që roli i mediave vëzhguese në çdo shoqëri të vërtetë demokratike kërkon një gazetari investigative dhe çdo dënim i dhënë në çdo rast duhet të jetë në proporcion me dëmin e shkaktuar dhe situatën ekonomike të medias në fjalë dhe nuk duhet të çojë në një efekt trishtues mbi raportimin”, bën me dije Mijatovic në raportin e saj. Përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias thotë se “më 16 korrik, gjatë procesit të ministrave, një takim jozyrtar në Almaty, kam pasur mundësi të takohem me ministrin Meta dhe për të sjellë në vëmendjen e tij edhe një herë rastin e mësipërm.

Ministri ra dakord miqësisht për të përcjellë letrën time drejt Presidentit Bamir Topi, i cili, sipas Kushtetutës së Shqipërisë, kryeson Këshillin e Lartë të Drejtësisë”.

Raporti për mediat

Raporti i prezantuar dje në mesditë në Qendrën e Kongreseve në Vjenë nga përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e mediave, Dunja Mijatovic, bën publik rezultatet e monitorimit të lirisë së medias, në 56 vende anëtare të OSBE-së, si dhe përcakton statusin që gëzon liria e medias në shtetet anëtare të OSBE-së dhe sfidat në këtë drejtim. Situata në Kirgizi është aktualisht në qendër të punës të strukturave të OSBE-së, u shpreh Mijatovic në konferencën për shtyp të enjten në mesditë. Në kapitullin e raportit të OSBE-së për Shqipërinë përmendet shqetësimi i përfaqësueses së OSBE-së për lirinë e medias, Mijatovic lidhur me rastin "Pango" dhe dënimin me gjobë 400.000 euro ndaj televizionit “Top Channel”, shqetësim i cili i është bërë me dije edhe autoriteteve shqiptare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›