Konomi, gati letër-porosia për Spanjën
Prokuroria shqiptare kërkon më shumë informacion për një sërë shqiptarësh që kanë aktivitet kriminal në Spanjë, mes të cilëve edhe persona që dyshohen se mund të jenë ekzekutorët e Franc Konomit. Nëpërmjet policisë, grupi hetimor i kryesuar nga prokurori Blerim Tominaj, i ka kërkuar Zyrës së Interpolit emra personash shqiptarë që mund të kenë pasur konflikte me Konomin, në shtetin e Spanjës, për trafikun e drogës. Hetimet, sipas akuzës qendrore, po përqendrohen tek ky grup, ndërsa në ditët në vijim, drejt Spanjës, do të niset edhe një letër-porosi për të kërkuar më shumë informacion. “Jemi në pritje të informacioneve që vijnë nga Zyra e Interpolit. Pas këtij veprimi, nëse Interpoli sjell emra personash shqiptarë që mund të dyshohen për vrasjen e shtetasit Franc Konomi, ne do të dërgojmë letër-porosi drejt Spanjës për të kërkuar të dhëna rreth aktivitetit të personave konkretë”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, vrasja ende vazhdon të jetë enigmë, ndërsa ka dyshime se Konomi mund të jetë paralajmëruar para se të ekzekutohej, të dhëna këto që kanë dalë nga zbardhja e tabulateve telefonikë. Megjithatë, hetuesit e çështjes mendojnë se vrasja në mes të ditës në një zonë të shumëpopulluar në Tiranë mund të ketë qenë për të “frikësuar” shokët e Konomit. Hetimet kanë përcaktuar se viktima lëvizte në disa shtete të Europës, në Gjermani, Greqi e Spanjë, ku dyshohet se ka pasur një aktivitet kriminal. Sipas policisë, Konomi ka pasur precedentë të shumtë penalë, duke hedhur hije dyshimi se ai mund të jetë ekzekutuar nga rivalët në këto trafiqe. Megjithatë, hetimet e deritanishme të akuzës nuk kanë përjashtuar asnjë pistë, ndërsa po verifikohen edhe hasmëritë e vjetra të Konomit.
Disa ditë më parë, Interpoli ka sjellë në Shqipëri dosjen e një sërë shqiptarësh që kanë aktivitet kriminal në Spanjë, mes të cilëve edhe persona që dyshohen për vrasjen e Franc Konomit. Ata dyshohet se merreshin me trafikun e drogës dhe jo më larg se një vit më parë, kanë kryer një vrasje në një lokal lojërash fati në Spanjë. Për këtë ngjarje, Policia e Spanjës ka pasur të dyshuar disa shqiptarë, ku edhe viktima ka qenë bashkëkombës. Informacionet sekrete kanë ardhur me kërkesën e palës shqiptare, pasi edhe dyshimet për vrasjen e Franc Konomit, ekzekutimi i të cilit u bë më 8 korrik të këtij viti, lidhen me shtetin e Spanjës, pavarësisht se familja ka mohuar disa herë se 42-vjeçari nuk ka qenë asnjëherë në këtë vend. Në lidhje me vrasjen e Tiranës, policia shpjegon se ngjarja mund të ketë zanafillën me krimin e ndodhur në Spanjë. Sipas dosjes hetimore, ku nuk janë bërë publike shumë të dhëna, për shkak të ruajtjes së sekretit, mësohet se bëhet fjalë për një ngjarje, ku janë përfshirë dy grupe shqiptarësh. Hetimet tregojnë që ngjarja ka ndodhur në një lokal lojërash fati, ku kanë qenë dy grupet shqiptare, të cilët mendohet se po bënin pazare për trafik droge. Në negociata e sipër, gjakrat janë nxehur, ku nuk dihen arsyet reale, dhe një person ka nxjerrë një pistoletë 15-she, duke vrarë një anëtar të grupit tjetër dhe duke plagosur të dytin. Më pas, autori i dyshuar i ngjarjes, që mendohet se është shqiptar, është larguar nga vendi i ngjarjes. Por nga grupi tjetër, një person ka vdekur me tri plumba, ndërsa i plagosuri që ka marrë katër plumba ka shpëtuar, pavarësisht se asnjëherë nuk është zbërthyer për të treguar se kush e kishte kryer këtë krim. Pas kësaj ngjarjeje, në Spanjë kanë ndodhur edhe disa krime të tjera, ku dyshimet bien mbi një grup shqiptarësh, që e kanë shtrirjen e tyre deri në Francë. E për shkak të këtyre konflikteve, dyshohet se hakmarrja ka ardhur nga Spanja. Policia ka ngritur dyshime shpeshherë se Franc Konomi ka qenë i lidhur me trafikun e drogës, por asnjëherë nuk është arritur që të faktohet një veprimtari e tillë.
#