E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE, Volfart: Shqipëria? Hapa përpara, duhet të ecet më shpejt

TIRANE- Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfart deklaroi dje se nuk sheh mundësi manipulimi që mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve. "Shqipëria po ecën përpara ngadalë, por duhet të ecë më shpejt", tha ai gjatë intervistës në "Bugajski Hour" në "AS". 

Të prekim disa detaje specifike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri. Sa të rëndësishme janë ato për progresin e Shqipërisë, jo vetëm sa i përket performancës së procesit zgjedhor, por demokratizimit në tërësi? Sipas vlerësimit tuaj, dhe ju e njihni shumë mirë rajonin, Shqipëria ka ecur para, prapa apo ka mbetur në vend sa u përket zgjedhjeve? 
Po ecën ngadalë përpara. Do të dëshiroja të ecte më shpejt. Kjo lidhet me vullnetin politik, për të qenë më teknik aty ku nevojitet. Fleta e votimit është drejtkëndore, ka të listuara partitë, vendoset shenja, hidhet në kuti, pa bërë zhurmë. Por këtu ka detaje që të habisin, sepse kur je i drejtpërdrejtë dhe nuk do të hysh nga dera e pasme, përdor letër të thjeshtë. Këtu është e stilit të kartëmonedhave. Nuk është nevoja për vula në anën e pasme, etj., etj. Sistemi këtu është i koklavitur. Sa më i koklavitur të jetë sistemi, aq më i lartë është marzhi i gabimit. Jam munduar të përcjell shpeshherë mesazhin "sa më thjesht aq më mirë". Lërini zgjedhësit të votojnë. Rezultati është në duart e tyre. Ai duhet të jetë një fotografi e vullnetit të shqiptarëve në ditën e zgjedhjeve, një fotografi e pashtrembëruar, pa filtër ngjyre, e pazmadhuar. Duhet të jetë fotografia e plotë dhe e njëmendtë e të gjithë atyre që u drejtohen qendrave të votimit. 

Më lejoni t'ju pyes nëse i druheni ndonjë mashtrimi apo manipulimi, që mund ta bëjë të pavlefshëm votimin. E kam dëgjuar këtë nga disa njerëz. A mund të ndodhë diçka e tillë në këto zgjedhjeve? 
Duke parë zhvillimin e gjërave, jo. Ka pjesëmarrje të komisionerëve të të gjitha kampeve politike në qarqe dhe në qendrat e numërimit, të cilët ushtrojnë kontroll të përbashkët. Kjo është shumë e rëndësishme për të qenë korrekt me numërimin. Numërimi në të kaluarën ka qenë korrekt. Një marzh i vogël gabimi është gjithmonë i mundshëm dhe i pranueshëm. Kjo ndodh edhe në demokracitë e pjekura. Këtu sistemi është provë e mjaftueshme për të pasur numërim të mirë. Kur komisionerët u përmbahen rregullave dhe ushtrojnë kontroll të përbashkët në qendrat e numërimit, atëherë nuk shoh ndonjë rrezik. Është mirë të ketë kontroll të dyfishtë. E mirëpres, si shumë të tjerë, që ka dhe masa të tjera si përfshirja e publikut, me kamera që tregojnë fletët e votimit në ekran. E gjithë kjo ndihmon në krijimin e besimit te publiku se numërimi është korrekt. Kjo kërkon kontributin e të gjitha palëve. 

A do të ketë numërim paralel të votave? 
Doni të thoni që publiku të bëjë llogaritjet e veta. 

Le të themi që OJF-të të kenë akses në tabelat e rezultateve, për të kontrolluar që shifrat zyrtare që kalojnë në nivelin tjetër të janë të sakta. 
Kam përshtypjen se mund të jetë e ngjashme si me zgjedhjet e fundit vendore. Ata i vëzhguan nga afër, nga një pozicion ku mund të bënin diçka që dukej si një numërim paralel. Nuk tingëllon bukur, por për të kontrolluar dyfish... 

Kalojmë te një nga ato pyetjet e nxehta. Në Uashington, ne që ndjekim nga afër zhvillimet në Shqipëri, dëgjojmë gjatë gjithë kohës temën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe problemet me të. Siç e dimë, KQZ-ja nuk i ka për momentin të shtatë anëtarët. Së pari, a do të thoshit që procedurat për zëvendësimin e anëtarëve të KQZ-së ishin të ligjshme? 
Pati vetëm një zëvendësim nga ana e qeverisë. U hoq një anëtar në një mënyrë që ende ka nevojë për analizë të mëtejshme, në baza ligjore jo aq të qarta. Por, pikësëpari ia lë palës shqiptare që ta zgjidhë këtë. Kjo krijoi disa valë që e çoi anën tjetër drejt disa dorëheqjeve, që erdhën gjithashtu në hapa të ndryshme, për arsye të ndryshme dhe mbase edhe bazuar në sfonde të ndryshme. Ajo që mbetet është një Komision Qendror i Zgjedhjeve i cunguar, me vetëm katër nga shtatë anëtarë. Për vendimet teknike dhe sipas legjislacionit, ai është funksional, por aspekti i ligjshmërisë është vetëm një gjë. Është shumë e rëndësishme të ketë besueshmëri maksimale, e cila është sigurisht e kufizuar kur nuk ka anëtarë të emëruar nga opozita. 
Kjo ishte pyetja ime e radhës. Sa i besueshëm është tani Komisioni i Zgjedhjeve? A e ka humbur besueshmërinë dhe legjitimitetin? 
Nuk është aq i fortë dhe nuk mund të jetë aq bindës sa më parë. Tre anëtarët e mbetur plus anëtari i ri bëjnë maksimumin për të vijuar përgatitjet teknike, që përfshijnë një testim të brendshëm kohët e fundit të lexuesve të kartave të identitetit. Të gjitha hapat që janë të rëndësishme për të ndjekur Kodin dhe për t'u përgatitur për këto zgjedhje. Kjo është e rëndësishme, është një shërbim i madh dhe shumë i nevojshëm për vendin. Ndjej keqardhje për anëtarët që kanë mbetur, duke filluar nga kryetarja, zonja Lleshi. Duket sikur ata kritikohen shumë dhe prapëseprapë duhet të punojnë me shumë energji për të bërë përgatitjet për këto zgjedhje. Do të ngurroja të futem në detajet që çuan në heqjen e z. Muho të LSI-së, por mund të them se ishte një lëvizje surprizë, e cila ende ka nevojë për shpjegime në lidhje me bazën ligjore. Shpjegime që nuk kanë ardhur. Këtu vihet në pikëpyetje legjitimiteti.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›