Greqia: Marrëveshja Shqipëri-Greqi për paktin detar do të zbatohet
TIRANË Ministri i Punëve të Jashtme, Stavros Lambrinidis, ka deklaruar dje, gjatë një vizite të zhvilluar në Prishtinë, se marrëveshja për ujërat detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë duhet të implementohet. “Kjo marrëveshje është e nënshkruar nga dy shtete të lira, prandaj presim që kjo marrëveshje të implementohet”,- ka thënë Stavros Lambrinidis, pas takimit me zyrtarë të qeverisë së Kosovës në Prishtinë. Duke iu referuar vizitës në Tiranë, e paralajmëruar për në datën 12 shtator, Lambrinidis, shtoi se po shkon në Shqipëri për t`i dhënë përkrahje perspektivës së anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE. “Ne dëshirojmë që Shqipëria të jetë sikur vendet në rajon, në një pozitë që të jetë një vend kandidat. Ne dëshirojmë që Shqipëria të ketë perspektivë dhe ardhmëri në BE. Kemi investuar shumë në rajon dhe vazhdojmë të investojmë aty dhe të kemi marrëdhënie të mira me Shqipërinë”,- ka thënë Lambrinidis. Ndërkohë, po për këtë çështje, ishte dje në Tiranë në një vizitë jo zyrtare edhe sekretari i Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme greke, Ioannis Zepos. Së bashku me ambasadorin grek në Tiranë ata zhvilluan një takim me zëvëndëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto. Pak përpara takimit me shefin e diplomacisë shqiptare, për rreth një orë, Zepos ka biseduar për një sërë çështjesh edhe me homologun shqiptar Gazmend Turdiu. Zepos nënvizoi se Greqia do të vazhdojë të jetë nga mbështetësit kryesorë në përpjekjet që bën Shqipëria për integrimin evropian, duke ofruar asistencën e saj konkrete në këtë drejtim. Megjithatë, ai mbërriti në Tiranë me kërkesën e tij dhe zhvilloi një axhendë të bërë nga ambasada greke në Tiranë. Madje edhe lëvizjet në Tiranë u kryen me makinën e ambasadorit grek dhe jo me makinat e protokollit shqiptar. Zyrtari grek zhvilloi një takim edhe me kryeministrin Sali Berisha. Burime jo zyrtare e lidhin vizitën e tij me dy cështje delikate; marrëveshjen detare dhe procesin e rregjistrimit të popullsisë që fillon në muajin tetor.