OSBE, Wollfarth: Opozita të angazhohet në Kuvend me votimin e ligjeve dhe miratimin e reformave

Një ditë pasi Partia Socialiste refuzoi të votonte në Kuvend ligjet me shumicë të cilësuar, një pjesë e mirë e të cilave janë kushte të Bashkimit Evropian për autoritetet shqiptare, ambasadori i Prezencës së OSBE-së Eugen Wollfarth zhvilloi sot një takim me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Wollfarth i ka bërë apel opozitës dhe mazhorancës të bashkëpunojnë në parlament për të përmbushur detyrat e vëna nga Bashkimi Evropian dhe OSBE. Në një prononcim për mediat pas takimit me kreun e PS-së, Rama, ambasadori Wollfarth theksoi se në takim u bisedua për mënyrën se si opozita do të angazhohet në parlament, duke vënë theksin se votimi i ligjeve me shumicë të cilësuar. Wollfarth ka deklaruar është e rëndësishme që të dyja palët të kenë pikëpamje të qarta në lidhje me rregulloren e parlamentit dhe sipas tij ky është edhe hapi i parë. “Do të ishte mirë të shihnim se si ka qenë rregullorja e parlamentit në të shkuarën”- tha në prononcimin për mediat, ambasadori Eugen Wollfarth.
Një ditë më parë në Kuvend socialistët i bënë bllok ligjeve që kërkojnë 3/5, duke votuar kundër miratimit të tyre. Mazhoranca akuzoi opozitën se po përdor praktika bllokuese të qëllimshme kundër procesit të integrimit, ndërsa nga ana tjetër opozita në vend të dhënies së konsensusit për 12 rekomandimet e statusit të vendit kandidat, propozoi 10 kushtet e saj. Socialistët i kërkuan mazhorancës të tërheqë ligjet ndërsa në këmbim të votës për ligjet me shumicë të cilësuar mazhoranca duhet të marrë në shqyrtim draftin me 10 pika ku kërkohet rikthimi i ligjeve në komisionet parlamentare, ndryshimi i rregullores së Kuvendit apo dhe ndryshimet kushtetuese.