E Diel, 1 Nëntor 2026

Tjetër skandal i Prokurorisë, kërkon heqjen nga ekspertiza të orës së video-përgjimit të Dritan Priftit

23-09-2011 / Gazeta 55

Në procesin e mëparshëm gjyqësor prokuroria kërkoi të mos i nënshtrohej ekspertizës dhe as të merrej si provë, regjistrimi i Dritan Priftit me Leonard Beqirin, ku ata ndajnë një shumë të hollash prej 80 mijë euro


Prokuroria shënon një nga skandalet më të mëdha, në të përfolurin gjyqi Meta – Priftin kur pasi dështoi në kërkesën për të hequr nga akti –ekspertimit tre ekspertët shqiptarë, hodhi një hap tjetër, jo thjeshtë amator, por tendencioz dhe të paprecedent, kur refuzoi ekspertimin e orës me të cilën Dritan Prifti vuri në përgjim ish-zv/kryeministrin Ilir Meta.
Ishte kjo orë e cila me kërkesë të prokurorisë shqiptare u dërgua për ekspertizë ndërkombëtare, dhe në bazë të së cilës, prokuroria shqiptare kërkoi heqjen e imunitetit të Ilir Metës. Në këtë seancë, Prokurori i çështjes Bujar Sheshi pretendoi se 3 ekspertët Bujar Pollo, Artur Rrahmani e Ermal Beqiri nuk kanë njohuritë e nevojshme për të kryer ekspertimin, ndërkohë që përzgjedhja e tyre i ka marrë shumë kohë gjykatës, duke përzgjedhur tre ekspertët më të mirë në fushën kibernetike, madje një prej tyre ka tashmë laboratorin e tij privat në fushën e ekspertizës. Pas dy orësh, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin. Trupi gjykues i Gjykatës së Lartë ka vendosur ekspertimin e orës dhe videos dhe ekspertiza është caktuar data 24 tetor, duke lënë 1 muaj kohë. Avokati i Ilir Metës, Gëzim Veleshnja menjëherë pas vendimit tha se “i gjithë ky proces tregon se është e gjitha një lojë politike, ky proces është i montuar dhe mungesa e provës origjinale e bën këtë proces të parregullt ligjërisht. Ne presim vendimin e ekspertëve”- tha avokati Veleshnja. Ora e përgjimit është e vetmja provë që mund të vërtetonte nëse Ilir Meta ishte përfshirë ose jo në atë që Dritan Prifti e denoncoi si skandal korrupsioni. Ekspertiza ndaj saj nxori në shesh edhe faktin që me të qe regjistruar edhe një bisedë e Priftit me ish-zv/ministrin e Ekonomisë, Leonard Beqiri për një aferë korruptive prej 70 mijë eurosh, e cila më pas në mënyrë amatoreske qe fshirë nga vetë Prifti. Ndoshta kjo apo arsye të tjera që lidhen me pozicionimin politik të prokurorisë e shtynë këtë të fundit të kryejë këtë skandal të paprecedent.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›