E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama zyrtarizon kursin anti-BE

23-09-2011 / Gazeta 55

Edi Rama u shpreh qartë sot se Partia Socialiste s’ka ndërmend të votojë draftin e ligjeve të integrimit, pa marrë më parë garancinë e mazhorancës për shqyrtimin e 10 pikave, që u prezantuan një ditë më parë në Kuvend. Përmes një konference për shtyp, Rama tha se s’mund të mendohet plotësimi i detyrave për marrjen e statusit të vendit kandidat, pa u konsoliduar më parë kërkesat e opozitës. Kryesocialisti paralajmëroi se 12 rekomandimet e Brukselit mund të mbeten në sirtarët e kuvendit edhe për një kohë të gjatë, pasi vetëm përmes kësaj formule ziliqare ai mund të përjetësohet në krye të PS-së si dhe të pretendojë postin e kryeministrit më 2013-ën. Pasi i bllokoi ligjet për dy vite me radhë, përmes bojkotit të parlamentit, edhe aktualisht kur mendohet se bojkoti është thyer, ai po vazhdon thuajse me të njëjtin intensitet, duke mos votuar ligjet, veçse këtë herë deputetët opozitarë janë në kuvend me një qëllim unik. Rama foli për “rregulla bashkëjetese” në Kuvendin e Shqipërisë, ndonëse është ai përgjegjësi për mungesën e konsensusit në parlament. Edi Rama cilësoi ndër kërkesat e tij ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore, edhe pse mazhoranca ka kërkuar prej 2 muajsh konsensusin e opozitës për këtë çështje. Madje, kryetari i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi i është drejtuar zyrtarisht plot 2 herë homologut të tij socialist Gramoz Ruçi, për thërritjen e tryezës së partive politike dhe përcaktimin e piketave të bashkëpunimit. Por PS refuzoi, duke nënkuptuar se reforma zgjedhore s’ishte në axhendën politike të opozitës, edhe pse reformimi i ligjit elektoral ishte dhe mbetet kërkesë imediate e faktorit ndërkombëtar.
Për ndryshimet në Kushtetutë Edi Rama ka marrë një përgjigje shumë konkrete nga lidershipi i mazhorancës, qëndrim i cili ka qenë në unison me reagimin e Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve. Edi Rama kërkon bashkëpunimin e mazhorancës për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, atëherë kur shumica parlamentare ka prej më shumë se 2 javësh që ka kërkuar emrin e propozuar nga opozita për vendin vakant. Kuptohet që Edi Rama po bie me këmbët e veta në gropën që po tenton t’i servirë shqiptarëve dhe idealeve të tyre evropiane. Kufizimi i imunitetit parlamentar është një tjetër fakt që tregon se Partia Socialiste vuan nga mungesa e identitetit politik, ose qëllimisht dhe me tendenca anti perëndimore kërkon të zvarrisë miratimin e ligjit për imunitetin, i cili fatkeqësisht ka më shumë se 2 vite stazh në sirtarët e Kuvendit. Ligji në fjalë ka marrë miratimin e mazhorancës, por refuzimi 2 vjeçar për t’u bërë pjesë e parlamentit ka bërë që “imuniteti” të mbetet peng i ngërçit politik të PS-së. Po ashtu, ri-kthimi i ligjeve në komisionet parlamentare të Kuvendit, është një tjetër hap fals që tenton të demotivojë kursin reformator dhe të nxisë reagimin negativ të Brukselit në progres-raportin e 12 tetorit. Kërkesat e tjera lidhen me tentativën e PS-së për të kapur disa prej institucioneve të pavarura si Prokurorinë e Përgjithshme, Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.
I gjithë kursi i opozitës së Edi Ramës nuk lidhet kurrsesi me miratimin e ligjeve sipas standardeve bashkëkohore, por thjesht e vetëm për të fituar kohën me qëllim aktivizimin total të celulës anti-evropiane në selinë rozë dhe faktorizimin e saj në skenën politike shqiptare me praktikat e Partisë së Punës. Bllokimi i procesit të integrimit është shpresa e vetme e Edi Ramës për të mbizotëruar kupolën bllokmene në PS si dhe t’i premtohet marrja e pushtetit në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›