OSBE, Wollfarth: Reforma zgjedhore pas 8 majit
TIRANË- Në tryezën e organizuar dje, në ambientet e kryesisë së Kuvendit nga Partia Demokratike për zgjedhjet, Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, ka deklaruar se reforma zgjedhore duhet të nisë menjëherë pas ditës së zgjedhjeve. I pranishëm gjatë debatit të tejzgjatur, mes dy forcave kryesore politike, ku njëra palë kërkonte ndryshime në Kodin Zgjedhor, referuar zgjedhjeve të kaluara parlamentare, ndërsa tjetra e kundërshtonte, Wollfarth u tha drejtuesve të partive parlamentare se ishin vetëm ata që duhet të identifikonin se çfarë duhej bërë para ditës së zgjedhjeve. “Prania këtu pas, nëse doni, ftesës për të nënshkruar shprehjen e vullnetit të mirë, do të ishte plotësisht edhe në frymën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Por vetëm vullneti i mirë nuk është fundi i zhvillimit. Konkurrenca e ndershme, sigurisht, dhe angazhimi për konkurrencë të ndershme është një pikënisje, por këtu po trajtohen edhe probleme të së kaluarës dhe këto duhet të trajtohen në kohën e duhur. Ju takon juve që të identifikoni se çfarë duhet bërë para ditës së zgjedhjeve, 8 Majit. Megjithatë, pjesa më e madhe që unë pres dhe shpresoj të fillojë së shpejti, janë bisedimet për reformën e Kodit Zgjedhor, menjëherë ose shumë shpejt, pas ditës së zgjedhjeve”, tha dje Ambasadori i OSBE-së në Tiranë. Ai theksoi se prania e misionit vëzhgues të ODIHR-it nuk do të ndryshojë karakterin e zgjedhjeve, të cilat janë mirëfilli i një veprimtarie shqiptare. Ambasadori i OSBE-së shtoi se shteti i së drejtës është tejet i rëndësishëm; ai do të krijojë besim jo vetëm mes partive, por gjithashtu edhe midis partive dhe qytetarëve, dhe mes vetë qytetarëve. “Kështu që, më vjen shumë mirë që z. Ruçi, z. Patozi dhe të tjerë e përdorën këtë fjalë, meqenëse ajo është shumë e rëndësishme në këtë kontekst, por unë gjithashtu do të doja që të fokusohesha edhe tek një fjalë që duhet të minimizohet në të ardhmen: mosndëshkueshmëria. Në shtetin e së drejtës, dhe me zbatimin më të mirë të mundshëm të shtetit të së drejtës, mosndëshkueshmëria duhet të pakësohej, dhe sigurisht që duhen trajtuar edhe burimet që do të çonin në defekte në procesin zgjedhor. Ndaj, më lejoni që ta përfundoj fjalën time, në këtë fazë, se kjo është në frymën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe do të ishte më mirë, nëse do të mund ta paraqisni në një marrëveshje përfundimtare, dhe në një dokument më të mirë për qytetarët e vendit, dhe, me sa kuptoj, është gjithashtu një ftesë e hapur për partitë politike, jo të pranishme në tryezë”, - tha ai.