Vëzhguesit e OSBE/ODIHR: Raporti ynë do të jetë i paanshëm
TIRANË- Misioni vëzhgues i OSBE/ODHIR për zgjedhjet e 8 majit nisi zyrtarisht aktivitetin në Shqipëri, për monitorimin e zgjedhjeve të afërme lokale. Ky mision përbëhet nga 15 ekspertë ndërkombëtarë dhe 24 vëzhgues afatgjatë, që do të jenë së shpejti në Tiranë për t’u shpërndarë në të gjithë vendin. Kreu i misionit të vëzhguesve, Jonathan Stounstrit, bëri të njohur se 400 do të jenë vëzhguesit afatshkurtër, që do të monitorojnë 8 majin dhe procesin e numërimit. Ai theksoi se raporti për zgjedhjet do të bazohet mbi paanshmërinë. “Do të doja të theksoja se elementi kryesor i metodologjisë së OSBE/ODHIR është ai i paanshmërisë. Ne nuk jemi të interesuar dhe nuk kemi interes të veçantë për asnjë parti politike, apo për aktorë të ndryshëm politik në Shqipëri, por jemi shumë të interesuar për rezultatet, të cilat duhet të jenë të bazuara mbi një proces të rregullt dhe të ndershëm. Vlerësimet për procesin zgjedhor do të bazohen në angazhimet e OSBE/ODHIR dhe standardet e tjera ndërkombëtare, si dhe në legjislacionin e vendit. Ne do të vëzhgojmë dhe analizojmë në veçanti përputhshmërinë me rekomandimet që erdhën si rezultat i zgjedhjeve 2009, që lidhen direkt me partitë, të cilat duhet të demonstrojnë gatishmërinë për të organizuar zgjedhje të ndershme”, - tha Stounstrit. Ai theksoi gjithashtu se fakti që nuk u zbatuan rekomandimet e OSBE/ODHIR, që dolën pas zgjedhjeve 2009, nuk do të thotë se vlerësimi për 8 majin do të jetë negativ. “Nuk është e thënë që të kesh zgjedhje të mira, duhet të kesh legjislacion shumë të mirë dhe nga ana tjetër mund të kesh legjislacion shumë të mirë dhe kjo nuk siguron zgjedhje të lira. Rekomandimet e OSBE/ODHIR duhet të ishin zbatuar, por fakti që nuk janë zbatuar, nuk do të thotë që kjo do të sjelle pashmangshmërisht një vlerësim negative për procesin zgjedhor”, tha Stounstrit. Vëzhguesit afatgjatë do të ndjekin aktivitetet e fushatës, punën e administratës zgjedhore, si dhe implementimin e legjislacionit në lidhje me zgjedhjet. Pas zgjedhjeve, misioni i ODIHR-it do të paraqesë rezultatet paraprake ndërsa raporti përfundimtar do të nxirret rreth tetë javë pasi misioni vëzhgues të ketë përfunduar punën.