E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE angazhohet të monitorojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare

07-10-2012 / Gazeta 55

Asambleja Parlamentare e OSBE-së mbyll punimet dy-ditore të Sesionit të Vjeshtës, të cilat u mbajtën në Tiranë. Topalli: “Zgjedhjet politike të 2013 - çdo gjë që ato të jenë zgjedhje të lira dhe të ndershme”

Në mbyllje të këtij sesioni të rëndësishëm, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE, Rikardo Migliori vlerësoi se mbajtja punimeve të Asamblesë në Shqipëri ishte një vlerë të shtuar  dhe garantoi se asambleja Parlamentare e OSBE-së është plotësisht e angazhuar të monitorojë dhe kontribuojë në zhvillimin e një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm në Shqipëri, teksa kanë mirëpritur angazhimin e autoritete shqiptare dhe ftesën e tyre në këtë drejtim.
Presidenti i asamblesë Rikardo Miliori u shpreh se zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë një festë për politikën e shqiptarët. “Vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhje të rëndësishme parlamentare në këtë vend dhe ne do të bëjmë çfarë është e mundur që të jemi të shumtë në numër për të kontribuar derisa zgjedhjet të shënojnë përfundimisht një marrëdhënie pozitive mes forcave politike shqiptare për stabilitetin e këtij vendi dhe integrimin e tij. Kjo është një detyrë e të gjithë Asamblesë Parlamentare dhe ne do jemi në krah për ta garantuar para popullit shqiptar një festë të madhe vitin e zgjedhjeve”, deklaroi Migliori.
Gjithashtu presidenti i KiE Migliori shprehu vlerësimet ndaj Kuvendit të Shqipërisë për punën e bërë në organizimin e punimeve të konferencës, ku siç, tha ai, u demonstrua mikpritja e shkëlqyer e Shqipërisë që e shndërroi këtë sesion në një sesion me sukses të plotë dhe rezultate të mëdha.
“Dua mbi të gjitha të falënderoj Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, kolegët shqiptarë, funksionarët dhe stafin e Parlamentit për të gjithë punën që kanë bërë duke demonstruar mikpritjen e shkëlqyer të Shqipërisë duke na ofruar realizimin e një sesioni të plotë këtu në Shqipëri”.
Ndërkohë Në fjalën e tij, Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti shprehu mirënjohjen për rolin e rëndësishëm që OSBE ka promovuar në vlerat themelore për liritë, paqen dhe stabilitetin në Europë dhe në botë. Në cilësinë e Presidentit të Komitetit të Këshillit të Ministrave të Këshillit të Europës, ai theksoi se pikërisht prioritet e Shqipërisë në këtë presidencë janë forcimi i dialogut ndërinstitucional me partnerët ndërkombëtarë OSBE, OKB, BE etj. krijimi i lidhjeve më të ngushta me këta partnerë për çështjet politike, ekonomike dhe humanitare.
Ndërsa në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vlerësoi se mbajtja e punimeve të Asamblesë Parlamentare të OSBE në Tiranë ishte shumë një ngjarje shumë e rëndësishme për Shqipërinë ndërsa i cilësoi punimet e këtij sesioni, si ditët e punimeve të Forumit Botëror të Demokracisë.
“Këto dy ditë ishin dy ditë të veçanta, të rëndësishme, domethënëse për OSBE-në, për Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, por mbi të gjitha për vendin tim. Dy ditë, të cilat, unë do t’i quaja, ditët e Forumit Botëror Demokratik, të zhvilluar këtu në Tiranë. Asambleja jonë, asambleja juaj, është asambleja që përfaqëson numrin më të madh të qytetarëve në botë. Po zoti President, kjo Asamble nuk është Asamble e salloneve. Është Asamble që punon terreneve  dhe kush më mirë sesa të zgjedhurit deputetë dinë të përfaqësojnë dhe të  kuptojnë sesi funksionojnë zgjedhjet. Si funksion procesi elektoral, ku janë hapësirat të cilat duhet të përmirësohen”,  u shpreh Kryetarja Jozefina Topalli.
Me këtë rast, Kryetarja e Kuvendit ftoi të gjitha delegacionet e Asamblesë që të sjellin sa më shumë vëzhgues në zgjedhjet parlamentare që Shqipëria do të zhvillojë vitin e ardhshëm.
“Vitin e ardhshëm Shqipëria ka zgjedhje politike. Unë do t’ju ftoja secili prej jush, të gjithë delegacionet  e Asamblesë : ejani dhe vëzhgoni zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri. Ne po punojmë dhe do të bëjmë çdo gjë që ato të jenë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, nënvizoi Topalli.
Nga ana e tij Presidenti Migliori shprehu gatishmërinë e Asamblesë Parlamentare të OSBE për të qenë të pranishëm me sa më shumë vëzhgues në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 duke theksuar se “do të jemi këtu, në mbështetjen tuaj për t’i garantuar bashkë me ju popullit shqiptar një festë të madhe të demokracisë vitin tjetër.  Të gjithë ne duhet të marrim një impenjim për Shqipërinë, këtë e kërkoi dhe Kryeministri Berisha. Vitin tjetër do të jenë zgjedhjet e rëndësishme parlamentare në këtë vend dhe ne do të bëjmë gjithçka që jemi të pranishëm me shumë vëzhgues këtu, për të kontribuar që këto zgjedhje të shënojnë përfundimisht një lidhje pozitive midis forcave politike shqiptare, për stabilitetin e këtij vendi dhe për integrimin e plotë të tij. Ky është përkushtimi ynë, të dashur miq të Shqipërisë, i të gjithë Asamblesë sonë Parlamentare. Do të jemi këtu, në mbështetjen tuaj për t’i garantuar bashkë me ju popullit shqiptar një festë të madhe të demokracisë vitin tjetër”.
Në përfundim të punimeve, Asambleja Parlamentare e OSBE vuri theksin tek rëndësia e një aksioni më të madh ndërkombëtar për dhënien fund të dhunës dhe vrasjeve në Siri.
Asambleja Parlamentare e OSBE-së mbylli punimet dy-ditore të Sesionit të Vjeshtës 2012, e cila u zhvillua për herë të parë në Shqipëri, me praninë e 200 pjesëmarrësve nga 56 vende anëtare të kësaj organizate, e cila është dhe forumi më i madh i demokracisë në botë dhe lider për kontributin në zgjedhje të lira. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›