OSBE e SHBA: Rama e Berisha të zgjidhin krizën në tryezë

Ambasada e SHBA-së dhe ajo e OSBE-së shprehin besimin se tryeza e Topit do të ofrojë mundësi për zgjidhjen e asaj që ata e cilësuan ngërç politik
TIRANË - Në një kohë kur forcat politike po shprehen skeptike për mundësinë e gjetjes së kompromisit në tryezën e së shtunës, nisur nga qëndrimet e kundërta të kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të opozitës, Edi Rama, ndërkombëtarët përmes një njoftimi për shtyp shprehin besimin tek roli, që do të luajë vetë kreu i shtetit.
Përmes një njoftimi zyrtar, Ambasada e SHBA-së në Tiranë dhe ajo e OSBE-së mbështesin plotësisht përpjekjet e Presidentit të Republikës për të ndërmjetësuar bllokimin e vazhdueshëm të situatës politike. Si ambasada e SHBA-së ashtu edhe ajo e OSBE-së shprehin besimin se një tryezë e tillë do të ofrojë mundësi për zgjidhjen e asaj që ata e cilësuan ngërç politik.
SHBA
"Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e Presidentit Topi dhe Këshillit të Europës për të ndërmjetësuar bllokimin e vazhdueshëm të situatës politike. Në këtë kontekst, ne përshëndesim udhëheqjen e Presidentit Shqiptar Topi në mbikëqyrjen e diskutimeve midis qeverisë dhe opozitës që do të fillojë më 13 shkurt", - thuhet në një njoftim për shtyp të shpërndarë dje për mediat nga Ambasada e SHBA-së.
Në këtë reagim zyrtar thuhet gjithashtu se SHBA-ja beson se kjo tryezë do të ofrojë mundësi
për zgjidhjen e situatës në vend, ndërkohë që i bën thirrje palëve që të përfitojnë nga ky proces.
"Ne besojmë se ky proces ofron një mundësi të rëndësishme për zgjidhjen pa vonesë të mëtejshme të ngërçit aktual politik. Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfitojnë nga kjo mundësi. Një zgjidhje e shpejtë e ngërçit do të mundësojë që palët të përqendrohen në axhendën Euro-Atlantike të Shqipërisë", - thuhet në njoftimin për shtyp.
OSBE
Edhe Ambasadori i OSBE-së, në Tiranë, Robert Bosh, ka mirëpritur mbajtjen e tryezës politike ditën e shtunë në selinë e Presidencës. "Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret ngrohtësisht nismën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të organizuar një tryezë politike të rrumbullakët, ditën e shtunë, si një hap konstruktiv dhe inkurajues drejt zgjidhjes së ngërçit politik aktual.
I mirëpresim, gjithashtu, edhe reagimet publike pozitive të drejtuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste lidhur me pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe aktive për të shqyrtuar bashkërisht mënyrat në të cilat mund të kapërcehen vështirësitë", - thuhet ne njoftimin për shtyp të OSBE-së.
Topi
Në fillim të javës, pas takimit me ambasadorin e Komisionit Europian, atë Spanjoll dhe më pas me ambasadorin e SHBA-së, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, njoftoi përmes një deklarate zyrtare se do të thërriste tryezën politike ditën e shtunë në orën 11:00. Vendimi i Presidentit erdhi edhe pas kontakteve telefonike që ai kishte zhvilluar me kryetarin e PS-së, Edi Rama, dhe kryeministrin, Sali Berisha.
Pavarësisht njoftimit të tryezës, deri më tani asnjë nga palët nuk ka ndryshuar qëndrim për të gjetur një rrugë kompromisi. Kryetari i opozitës, Edi Rama, e ka bërë të qartë se ulet në tryezë me qëllim hapjen e kutive si kushti kryesor për transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit, ndërsa kryeministri Sali Berisha do të ulet në tryezë për të shprehur gatishmërinë se do të zbatojë të gjitha pikat e rezolutës së KiE-së, por pa hapur kutitë e votimit.
Vetë Presidenti i Republikës nuk ka dhënë ende një qëndrim për këtë çështje, gjë që më sa duket nuk do ta bëjë edhe në tryezën e së shtunës, ku negociatat duken tepër të vështira.