Topalli, presion deputetëve: Do t'ju digjen mandatet

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është treguar optimiste se kriza do të zgjidhet dhe se bojkoti i institucioneve prej opozitës do të marrë fund
TIRANË - Në një kohë që faktori ndërkombëtar dhe kreu i shtetit, Bamir Topi, mundën të bindin kryetarët e dy partive të mëdha që të ulen në një tryezë bisedimi për të zgjidhur krizën politike në vend për t'i dhënë fund edhe bojkotit të Kuvendit, kryeparlamentarja Jozefina Topalli në pritje të këtij takimi, ka vijuar të ushtrojë presion tek të zgjedhurit socialistë duke i kujtuar sërish se afati kushtetues për vlefshmërinë e mandatit të tyre po skadon.
Topalli ka shfrytëzuar një takim që ka zhvilluar me homologun e saj malazezë Ranko Krivokapiç për të përcjellë nëpërmjet medias mesazhin e saj drejtuar deputetëve socialistë se koha kushtetuese po mbaron dhe se mandatet e tyre rrezikojnë të digjen. "Jemi në afatet e fundit kushtetuese të vlefshmërisë së mandatit të secilit prej deputetëve që kanë marrë mandat nga populli dhe nuk janë paraqitur në parlament", - tha Topalli në fjalën e saj.
Në funksion të këtij presioni, ajo nuk ka pritur rezultatet e tryezës së presidentit, por i ka përsëritur edhe një herë deputetëve socialistë ftesën që i bëri disa ditë më parë edhe me shkrim për tu kthyer në parlament dhe për të ushtruar përgjegjësitë që i përcakton Kushtetuta.
"I përsëris ftesën çdo deputeti, ndërgjegjes së tyre shoqërore dhe politike: ejani në Parlament, keni vendin tuaj, keni hapësirën tuaj. Ndaj bëni detyrën që ju ka dhënë populli", - tha më tej kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.
Por, si për të zbutur gjuhën e saj në këtë moment delikat, kryeparlamentarja është treguar optimiste se kriza do të zgjidhet dhe se bojkoti i institucioneve prej opozitës do të marrë fund. Megjithatë, ajo nuk ka qenë e sigurt nëse një gjë e tillë do të ndodh gjatë tryezës apo pas saj.
Pyetjes së gazetarëve se çfarë priste nga tryeza e ditës së shtunë kryetarja e Kuvendit tha se pret që të ndaloj bojkotin që opozita i ka bërë këtij institucioni. "Kam 6 muaj që pres të ndalet bojkoti.
Nëse kjo ndodh para tryezës, apo pas tryezës, e rëndësishme është që të ndalet bojkoti për normalitetin e jetës parlamentare dhe demokratike. Unë jam optimiste", - u shpreh kryeparlamentarja. Por ashtu si dy ditë më parë, edhe dje ajo nuk ka nguruar të sulmojë liderin e opozitës, si përgjegjësin e vetëm të ngërçit politik, që ka ardhur prej bojkotit të institucioneve.
"Unë jam e sigurt se bojkotit, po i vjen fundi dhe se bojkoti ka vetëm një emër", - tha kryetarja e Kuvendit në fjalën e vet, duke iu referuar pikërisht kreut të Partisë Socialiste. Kundra braktisjes së Kuvendit prej opozitës është shprehur dhe kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, i cili e ka konsideruar atë një veprim që dëmton jo vetëm vendin, por edhe vet forcën që e aplikon.
"Unë jam i bindur që opozita është e ndërgjegjshme që duhet të kthehet në Parlament për të bërë punën e saj, të përfaqësojë votuesit, të kontribuojë në reformat për liberalizimin e vizave, përndryshe ajo është jashtë loje, duke mos kryer funksionin e saj.
Bojkoti është një gabim që i kushton çdo partie politike dhe që duhet mësuar prej tyre. Ata e dinë që duhet ta ndalin bojkotin", - tha kryeparlamentari malazez, Ranko Krivokapiç.
PS-ja konfirmon se do të futet në Kuvend kur të hapen kutitë
Gjermeni: Mandatet nuk na i djeg Topalli
TIRAMË - Menjëherë pas deklaratës së kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ka reaguar edhe PS-ja përmes deputetes, Eglantina Gjermeni. Kjo e fundit ka deklaruar dje se PS-ja nuk do të futet në Kuvend, sa kohë që nuk do të bëhet transparenca e zgjedhjeve.
"Spikerja e Kuvendit ta lërë diversionin e saj bajat të paktën në prag të tryezës së presidentit. Mandatet e Partisë Socialiste janë mandate të popullit opozitar, as Jozefina e as Saliu nuk i prekin dhe as i djegin apo përvetësojnë dot përmes diversionit ndaj PS-së.
Bojkoti vazhdon dhe nuk do të ndalet për aq kohë sa nuk do të bëhet transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Vetëm transparenca e rikthen PS-në në Kuvend, ndërsa kutitë e mbyllura do të rinxjerrin popullin në rrugë. Të hapen kutitë për t'i dhënë fund bojkotit", - tha dje Gjermeni.