Dita përkujtimore e viktimave, LSI kundër PD-së

Propozimi i deputetëve demokrat për ta shndërruar festën e çlirimit në ditën e kujtesës së krimeve të komunizmit është kundërshtuar nga LSI-ja
TIRANË - Vlerësimi i luftës antifashiste dhe roli që luajtën në të forcat partizane mbetet një çështje e nxehtë në marrëdhëniet mes dy aleateve jo natyrale që prej shtatorit të shkuar qeverisin së bashku vendin, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
E krijuar si një forcë e majtë dhe me një mbështetje jo të pakët tek veteranët e Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht se prej disa muajsh ka kaluar djathtas, LSI-ja vijon të mos bjerë dakord me aleaten e saj të re sa herë që bëhet fjalë për LANÇ-in dhe simbolet historike të saj.
Diferenca e vënë re mes tyre në festimet e 28 dhe 29 nëntorit të shkuar, duket se është thelluar edhe më tej ditët e fundit, ku shkak është bërë një propozim i deputetëve demokrat për ta shndërruar festën e çlirimit në ditën e kujtesës së krimeve të komunizmit.
Një ditë pasi deputeti i PD-së, Genti Strazimiri nga mali i Dajtit, propozoi që 29 nëntori, i njohur me ligj si festa zyrtare e çlirimit të vendit, të kthehet në një ditë për të kujtuar genocidin e regjimit diktatorial, ka reaguar Lëvizja Socialiste për Integrim e cila e ka konsideruar këtë si një hap të pamenduar mirë nga ana e aleatëve të tyre.
"Dëshiroj të nënvizoj se propozimi i disa deputetëve të Partisë Demokratike që 29 nëntori të jetë dita e nderimit të viktimave të regjimit totalitar, është i pamenduar dhe më i papërshtatshmi, pasi 29 nëntori është referencë e rëndësishme e historisë antifashiste të popullit tonë si një popull antifashist e kontributor me shumë sakrifica në koalicionin e madh antifashist", - u shpreh sekretari për marrëdhëniet me publikun në LSI, Luan Rama në një dalje të posaçme për mediat.
LSI-ja është treguar e prerë në këtë çështje duke u kujtuar aleatëve të vet se askush nuk mund të tjetërsojë festën e çlirimit të vendit, pavarësisht sensibiliteteve që mund të ketë edhe çështja e të ekzekutuarve gjatë regjimit të shkuar diktatorial.
"29 nëntori ka vendin e vet në histori dhe nuk mund të tjetërsohet si datë, ajo nuk mund të bëhet referencë për të tjera ngjarje, të cilat mund të përkujtohen e nderohen në një datë tjetër në morine e shume ditëve qe ka viti", - tha më tej Luan Rama.
Madje ai nuk ka nguruar ti bëjë me dije deputetëve demokrat, të cilët edhe hodhën propozimin e mësipërm se për sa i përket kujtimit dhe nderimit të të rënëve në regjimin komunist tashmë vendi ynë ka një ligj të veçantë, që nderon të gjitha viktimat në formën dhe në cilësinë e përndjekjes.
"Nëse do të duhet që për arsye më specifike të nderohen edhe me një datë tjetër këto viktima, të përcaktohet një datë homazhi apo një datë tjetër nderimi dhe memorie, kjo nuk mund të jetë zgjidhje që vjen si pasojë e emocionit të krijuar për shkak të efekteve e dhimbjes njerëzore si pasojë e gjetjes së atij varri masiv, por kjo duhet të jetë produkt diskutimi edhe me përfshirjen e institucioneve që përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e të përndjekurve politikë, në mënyrë që gjithçka të jetë në respekt të sakrificës dhe dhimbjes së të gjithëve.
Sepse midis atyre me apo pa varr, dhe atyre që nuk janë gjendur eshtrat, ka edhe nga ata të cilët kanë qenë partizanë dhe komandantë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANC) që kanë kontribuar dhe sakrifikuar për Shqipërinë dhe për të cilët 29 nëntori është e njëjta ditë e çlirimit të Shqipërisë, pavarësisht sesi u soll sistemi apo tërësia e institucioneve të diktaturës edhe ndaj vetë atyre që bënë luftën Nacional Çlirimtare", - tha drejtuesi i lartë i LSI-së.