Leskaj: Kodi nuk është lojë politike për karrige
TIRANË- Në qëndrimin e parë zyrtar për kodin e ri zgjedhor, Partia Socialiste shprehet se nuk e konsideron këtë draft si lojë politike për të siguruar karriget e radhës. Kryetarja e grupit parlamentar e PS-së, Valentina Leskaj, u shpreh dje se mllefi nuk është alternativë dhe se një qëndrim nuk mund të imponohet me zor, por me argumente. “Ashtu siç duhet ta kuptojnë edhe kundërshtarët tanë qeveritarë, se duke bërë diversion me emrin e Partisë Socialiste, nuk bëjnë tjetër veçse tregojnë atë që dimë të gjithë, primitivizmin e tyre politik”,- shtoi Leskaj. Sipas saj, Partia Socialiste e sheh procesin e zgjedhjeve si një shans për një proces jo të deformuar, pavarësisht se të tjerë kërkojnë kapitale politike apo dhe imponimin e dështimit të procesit. “Ne kemi argumentet tona, të tjerë kanë argumentet e tyre. Le t'i ballafaqojmë qetësisht përpara qytetarëve. Ne kemi hyrë në këtë proces për t'u dhënë shqiptarëve shansin e shumëpritur të një votimi të padeformuar, të tjerë duan të nxjerrin nga ky proces kapitale politike, ndërsa të tjerë akoma duan të imponojnë dështimin e procesit”,- tha Leskaj. Duke e cilësuar si normal faktin që reforma zgjedhore ngjall kundërshti, Kryetarja e Grupit Parlamentar socialist, shprehu qartë qëndrimin se, PS-ja do të mbajë parasysh vetëm interesin e shqiptarëve. “Në procesin e kësaj reforme, ne socialistët kemi mbajtur e do të mbajmë deri në fund parasysh interesin e Shqipërisë e të shqiptarëve, që vota të shkojë aty ku e jep votuesi; që çdo parti të peshohet nga zgjedhësit, jo të rritet apo zvogëlohet artificialisht, siç ka ndodhur 17 vjet me radhë; që mes zgjedhësve e të zgjedhurve të krijohen kushtet e një kontrate të qartë bazuar mbi programin, ekipin e liderin më të votuar dhe të mos ketë më as xhuvelizëm, as informalizëm parlamentar në kurriz të njerëzve e të vendit”, - tha më tej ajo. Në fund të fjalës së saj, Leskaj u shpreh se PS-ja është e gatshme të dialogojë me të gjithë, duke mos akuzuar e fyer askënd që ka pikëpamje të ndryshme nga të sajat, pasi qëllimi është të formulojë një qëndrim sa më të drejtë në interes të publikut. --------------------------------------------------------Kodi, kundërshtojnë partitë, Gjinushi pro
TIRANË- Përfaqësuesit e 6 partive të vogla parlamentare, LSI, PDK, PDS, PAD, PBDNJ dhe partia me e re PS91, janë pozicionuar dje në ndryshim të kodit të ri zgjedhor. Duke bërë edhe njëherë publike propozimet e tyre, ata u shprehën në mbështetje të një përbërjeje tërësisht teknike të komisioneve të administrimit të votës, ose për një përbërje partiake gjithëpërfshirëse. “Ne kemi qenë të hapur për të dyja, qoftë për një përbërje tërësisht teknike të komisionit të administrimit të votës, qoftë për një përbërje partiake gjithëpërfshirëse në nivel parlamentar”,- ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili. Por, në një deklaratë më vete, Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, i ka hedhur poshtë këto dy propozime. Sipas tij, dy propozimet për PSD-në janë të papranueshme. “Komisioni teknik është i parealizueshëm me Berishën. Mjafton që ne të nxjerrim inatin me njëri-tjetrin, por zgjedhjet le t’i fitojë Berisha. Sa për komisionin gjithëpërfshirës, në planin konkret është i parealizueshëm. Ky propozim çon hapur ne favor të së djathtës. Ca me keq, kur thuhet të kemi komisionerë të paguar nga partitë, kjo do të thotë pastrim parash”,- është shprehur më tej Gjinushi