OSBE kundër përgjimeve në Shqipëri
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë nxiti institucionet shqiptare që të bashkëpunojnë për të hetuar plotësisht dhe sa më shpejt ngjarjet e dhunshme të Tiranës më 21 janar.
OSBE publikoi një deklaratë, me të cilën u bën thirrje institucioneve që gjatë këtyre hetimeve të veprojnë në përputhje me shtetin e së drejtës dhe të respektojnë pavarësinë dhe lirinë e medies.
Deklarata citon ambasadorin Eugen Wollfarth, të ketë thënë se “media luan një rol kyç në demokraci dhe në shoqërinë e lirë” dhe se ai “nxiste të gjitha institucionet të mbështesin medien në detyrën e saj të lartë për të vënë në dispozicion të publikut të dhëna faktike. Kjo duhet të bëhet në përputhje me ligjin, në frymën e lirisë dhe të demokracisë”.
Sipas drejtuesit të OSBE-së, “gazetarët duhet të kenë besimin se kjo është baza e punës së tyre profesionale, ashtu sikundër edhe shprehja e opinioneve, si kontribut për formimin e opinionit publik”.
Komentet e përfaqësuesve të OSBE-së erdhën menjëherë pasi u njoftua se komisioni hetimor parlamentar për ngjarjet e dhunshme të 21 janarit kërkoi që listës së politikanëve dhe zyrtarëve më të lartë shtetërorë për kontroll të telefonatave, t’u shtohen edhe katër gazetarë.