E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE-politikës: Fati i Shqipërisë në dorën tuaj, zgjidh e merr!

TIRANE-Dialog, dhe vetëm dialog mes palëve, kjo është zgjidhja që Shqipëria të ketë një situatë të qetë politike, të hartojë një Kod të ri zgjedhor që të lexohet njëlloj nga partitë, të arrihen reformat dhe të mos shmangen, përndryshe vendi do hyjë sërish në amulli politike. Shqiptarët të zgjedhin ose marrin cilen të duan, citon sot Eugen Wollfarth, kryetari i prezencës së OSBE-së në Shqipëri në një raport drejtuar Këshillit të Përhershëm të OSBE-së.
Por, kreu i prezences se OSBE ne Shqiperi, theksoi se "nëse liderët politikë shqiptarë nuk shfrytëzojnë plotësisht atë çka mbetet nga 2011-a dhe viti 2012, ekzistojnë të gjitha shanset që ngërçi politik të vazhdojë deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013".

Në një vështrim të përgjithshëm, mbi situatën e përgjthshme në Shqipëri, Wollfarth shprehet se çështja kryesore politike ka qenë vazhdimi i ngërçit politik, që ka filluar qysh në vjeshtën e vitit 2009 duke vijuar deri në zgjedhjet e këtij Maji.
“Si pasojë, rrjedha normale e punës në Kuvend u pengua, duke sjellë si pasojë mosmiratimin e asnjë prej ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar prej tre të pestash. Më tej, axhenda e reformave ka mbetur e bllokuar në një masë të madhe të saj. Ndërkohë që shmangte në mënyrë të përsëritur çdo përpjekje serioze për një angazhim politik konstruktiv në Kuvend, opozita u pa si organizatore e disa protestave publike, duke përfshirë këtu edhe ngjarjet e dhunshme të janarit 2011 në Tiranë. Ngërçi vazhdoi deri në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të muajit maj”.
Sipas Wollfarth, palët në politikën shqiptare duhet ta kuptojnë njëherë e mirë pozicionin e tyre.
“Tashmë, të dyja palët duhet të gjejnë mënyrat për t'i përshtatur strategjitë dhe politikat e tyre me qëllim përballimin e sfidave që po has vendi. Vetëm kur të gjitha palët të fillojnë të kuptojnë plotësisht se çfarë do të thotë në të vërtetë të jesh në Qeveri dhe çfarë do të thotë të jesh në Opozitë në një sistem demokratik, do të mundet Shqipëria të bëjë një përparim domethënës në axhendën e reformave”.

Sa u përket zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të muajit maj 2011, ky raport nuk bën ndonjë vlerësim të hollësishëm të procesit zgjedhor, përvec ato që citohen dhe raportin përfundimtar të Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.
Por, Wollfarth kërkon që tani politika të lexojë qartë mesazhet e OSBE-ODIHR dhe t'i shndërrojë në një reformë të suksesshme zgjedhore këto rekomandime. Por, që të ndodhë kjo, u shpreh sot Wollfarth para Përfaqësisë së OSBE, palët duhet të demonstrojnë një dialog ndërpartiak të gjerë.
"Kuptohet se, që të ndodhë kjo, duhet të demonstrohet një dialog politik shumë më i madh ndërpartiak. Një reformë e plotë duhet të jetë: a) teknikisht e shëndoshë; b) e konsultuar gjerësisht dhe, sigurisht, e panxituar; dhe c) sa më konsensuale. Një reformë e mbështetur në të tre këta elementë është e mundur vetëm nëse drejtuesit e partive duan që ajo të jetë e mundur. Ekziston, gjithashtu, edhe një nevojë urgjente për të pasur një Kod Zgjedhor, të cilin të gjitha palët të mund ta lexojnë njëlloj".
Raporti thekson më tej se puna për Reformën Zgjedhore duhet të nisë menjëherë.

Frika e Wollfarth
Në paragrafin e titulluar, “Vështrim drejt të Ardhem”. Wollfarth, duke pasur parasysh zgjedhjen e Presidentit në vitin 2012 dhe dyshimin për një ashpërsim të mundshëm të debatit politik para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, ambasadori i OSBE në Shqipëri shprehet se “dritarja e mundësive për reforma, duke filluar nga tani deri në mesin e viti 2013, është e vogël”.
“Nëse liderët politikë shqiptarë nuk shfrytëzojnë plotësisht atë çka mbetet nga 2011-a dhe viti 2012, ekzistojnë të gjitha shanset që ngërçi politik të vazhdojë deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Për ta shmangur një skenar të tillë, liderëve politikë në Tiranë do t'u duhet të përmbushin angazhimet e marra”.
Më tej, Wollfarth i adreson klasës politike një mesazh të drejtpërdrejtë.
“Mesazhi është i thjeshtë: "Mjaft kohë është humbur deri tani. Nëse vërtet doni t'í tregoni publikut shqiptar dhe partnerëve tuaj ndërkombëtarë se i merrni seriozisht përgjegjësitë dhe detyrimet tuaja, atëherë na duhet të shohim një kthim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në gjuhën e dialogut, si dhe një vullnet të sinqertë për kompromis, me qëllim çuarjen përpara të axhendës së reformave". Viti që vjen do të ndajë se ku do të duan ta çojnë Shqipërinë liderët e saj politikë - në drejtim të reformave, progresit dhe prosperitetit kombëtar apo do ta zhysin në një spirale zvarritjesh, amullie dhe mllefi politik. Çështja është shumë e thjeshtë. Zgjidh e merr! “.

Kreu i prezences se OSBE ne Shqiperi gjithashtu ne 10 faqet raport ben nje pershkrim dhe te bojkotit te opozites nga punimet ne Parlament, te ngjarjeve te 21 Janarit, te ceshtjes Gerdeci qe ende nuk ka perfunduar procesi gjyqesor, lufta kunder korrupsionit.

(d.b/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Wollfarth, raporti i plotë për Shqipërinë në OSBE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›