E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE sjell materialin zgjedhor

Zyrtarët nga misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Kosovë kanë dhënë sot më shumë detaje rreth lehtësimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe presidenciale dhe parlamentare në Kosovë, duke thënë se po që se tentohet të mbahen edhe zgjedhjet lokale, ky mision e ka të drejtën të tërhiqet nga roli i lehtësimit. Gjithashtu, ata kanë deklaruar që nuk do të ketë staf nga Beogradi në ditën e zgjedhjeve, ndërsa numri i votuesve në listë llogaritet të jetë rreth 110 mijë.

Në një konferencë për media të mbajtur nga Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Werner Almhofer, janë dhënë detaje për operacionin e OSBE-së për mundësimin e votimit.

Ai ka thënë se në vijë me rezolutën 1244 është kërkuar nga OSBE-ja që të lehtësojë zhvillimin e këtyre zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe. OSBE nuk do të ndihmojë kurrfarë përpjekjeje për të organizuar edhe zgjedhjet lokale.

Po që se ndodh një gjë e tillë, Almhofer ka thënë se OSBE-ja e ka të drejtën e tërheqjes nga roli i lehtësimit të këtyre zgjedhjeve.

“Ne ishim të interesuar të veprojmë në ato faza në përputhje të plote me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244 dhe është shumë e rëndësishme që zgjedhjet të mbahen në përputhje me marrëveshjen që është arritur dhe duke respektuar rolin e OSBE-së. Nëse nuk është ky kuptim, OSBE-ja e ka të drejtën të tërhiqet nga roli i lehtësimit”, ka thënë Almhofer.

Për më tepër, ai ka shtuar se këtë mëngjes tërë materialet votuese kanë ardhur në Kosovë, ndërsa të dielën rreth 500 punonjës të gjithë të punësuar nga OSBE-ja do të përfshihen në këtë proces.

Ambasadori ka sqaruar se të gjithë personat e përfshirë në këto zgjedhje do të jenë të punësuar nga Misioni i OSBE-së dhe nuk do të ketë staf nga Beogradi.

“Ne po e kryejmë vetëm një rol shumë të rëndësishëm, dhe të gjithë personat në ato vendvotime, nga këshilli e deri tek koordinatori ndërkombëtar, përkthyesi për koordinatorin ndërkombëtar dhe çdo person tjetër, do të jenë të angazhuar nga OSBE-ja dhe kjo është definitivisht deklarata jonë”, ka thënë ai.

Ndërsa, për numrin e votuesve në këto zgjedhje u tha se pritet të jetë afër 110 mijë.

“Listat e votuesve, Nikola ka sqaruar se kjo nuk është në ndërmarrësin tonë dhe listat e votuesve është bërë nga dikush tjetër dhe jo nga ne. Kemi 110 mijë njerëz përafërsisht ... 109 mijë, diku 110 përafërsisht”, ka theksuar Eduard Joseph, zv.shef i misionit të OSBE-së..

Gjithashtu zyrtarët e OSBE-së kanë sqaruar se do të ketë kontrollim të dokumenteve. Njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë mund të tregojnë edhe kartelat e tyre identifikimi të Serbisë, ndërsa dokumenti i Kosovës nuk është kusht patjetër për të votuar.

Almhofer ka deklaruar se koha për organizimin e këtij operacioni është mjaft e shkurtër, më pak se një javë dhe nevojitet përkrahja dhe bashkëpunimi lokal vendor e ndërkombëtar.

OSBE-ja do t’u mundësojë votuesve që të hedhin votën e tyre në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të Serbisë në Kosovë. OSBE-ja do të sjellë dhe do të transportojë të gjitha materialet votuese duke përfshirë edhe fletëvotimet.

Ky mision do të vendos vendvotime në 28 qendra anekënd Kosovës, ndërsa stafi i OSBE-së që do të angazhohet në këtë proces do të jetë 500. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›