E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR-i neutral ndaj zgjedhjeve serbe

Pjesëtarët e KFOR-it do të jenë neutral kundruall zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe në të njëjtën kohë do të jenë në gjendje gatishmërie për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt në gjithë territorin e vendit, ka bërë të ditur të mërkurën komandanti i këtyre trupave, gjenerali gjerman Erhard Drews.

Sipas tij, në pjesën dërrmuese të vendit në ditët në vijim përgjegjës për sigurinë do të jenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, ndërkohë që KFOR-i do të ofrojë mbështetjen e duhur atje ku është e nevojshme.

”KFOR-i do të veprojë me dy parime. Parimi i parë është se as nuk do të jetë mbështetës i zgjedhjeve e as nuk do të jetë pengues i zgjedhjeve, por do të jemi neutralë në aspektin e zgjedhjeve. Ndërsa sa i përket parimit të dytë, ne do të jemi në gjendje gatishmërie dhe do të përqendrohemi që ta mbajmë një situatë të qetë dhe të sigurt, pa marrë parasysh se në cilën pjesë të Kosovës kanoset rreziku për situatën e sigurisë dhe pavarësisht nga ajo se kush do të jetë shkaktar i përshkallëzimit të situatës. Por po ashtu dëshiroj të potencoj se në bazë të gjitha informatave që kemi gjendja e sigurisë në pjesën dërrmuese të vendit do të sigurohet nga forcat policore dhe duhet të kemi besim të plotë”, ka thënë Drews, sic transmeton RTK.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›